Partia ultra-ortodokse izraelite largohet nga koalicioni, trondit qeverinë e Netanyahut

Një nga partitë ultra-ortodokse që ka qenë partnere kyçe në qeverinë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka njoftuar largimin nga koalicioni qeverisës.

Të dy fraksionet e partisë United Torah Judaism deklaruan se po largohen për shkak të mosmarrëveshjeve rreth një projektligji që do të zyrtarizonte përjashtimin nga ushtria për studentët e shkollave fetare, të cilët studiojnë tekstet hebraike në vend të shërbimit ushtarak.

“Pas shkeljes së përsëritur të angazhimeve nga ana e qeverisë për të mbrojtur statusin e studentëve të seminareve fetare,” deklaroi fraksioni Degel HaTorah, “deputetët tanë njoftojnë dorëheqjen nga koalicioni dhe qeveria”.

Dorëheqja pritet të hyjë në fuqi brenda 48 orëve dhe do t’i lërë Netanyahut një shumicë shumë të ngushtë në parlament, duke e detyruar të mbështetet më shumë te dy partitë e ekstremit të djathtë. Këto parti kundërshtojnë çdo lëshim në bisedimet për armëpushim me Hamasin dhe më parë kanë kërcënuar të largohen nga qeveria nëse lufta në Gaza ndërpritet ose ngadalësohet. /mesazhi