Pas dy ditësh përfundon rinumërimi i 280 kutive të votimit

Të hënën ka nisur rinumërimi i 115 kutive me vota të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën më 11 qershor, të cilat nuk arritën të procesohen si të rregullta për shkak të mospërputhjeve të të dhënave.

Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj ka thënë për Indeksonline se nga këto kuti, për tri ditë janë numëruar 53 prej tyre.

“Deri më tani 53 janë rinumëruar të plota, në proces janë 19 të tjera dhe pjesa tjetër mbetet ditëve në vazhdim. Në rinumërim janë gjithsej 280 kuti, 118 nga to do të rinumërohen vetëm sa i përket rezultateve të subjekteve politike, ndërsa pjesa tjetër do të rinumërohen plotësisht”, ka theksuar Ahmetaj.

Sipas tij, rinumërime do të bëhen vetëm aty ku janë gjetur parregullsi gjatë procesit zgjedhor, shkruan Indeksonline.

“Deri më tani këto janë vendvotimet që kanë pasur mospërputhje procedurale që nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta, tash e shohim nëse do të ketë tjera. Por, edhe nëse do të ketë kuti tjera, nuk besoj se do të jetë ndonjë shifër e ndjeshme”, ka thënë tutje Ahmetaj.

I pyetur se kur pret të përfundoj procesi i rinumërimit, Ahmetaj parashikoi dy ditë.

“Me këtë dinamikë që po punohet, besoj që brenda dy ditësh do të kryejmë procesin dhe do të vazhdohet me numërimin e votave me kusht”, ka shtuar Ahmetaj.

Kujtojmë se votat me kusht dhe ato të diasporës do të numërohen menjëherë pas përfundimit të procesit të rinumërimit , përafërsisht pas 2-3 ditësh.