Pas pajtueshmërisë në Bruksel, Kosovës i kërkohet që të nis menjëherë diskutimet për themelimin e Asociacionit

Kosova dhe Serbia u pajtuan të hënën në Bruksel, se nuk kanë më nevojë të diskutojnë për propozimin evropian për normalizimin e raporteve.

Kurti dhe Vuçiq shprehën gatishmëri që të punojnë në zbatimin e propozimit evropian, që synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve.

Pas kësaj të arriture që po konsiderohet moment pozitiv në procesin e dialogut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar sërish themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shkruan Telegrafi.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim që duhet të zbatohet.

“Kjo kërkesë paraqitet në marrëveshjen e Brukselit. Ka pritje që do të formohet. Pozicioni ynë është që të formohet në një mënyrë që përbën fitore për të dyja palët”, ka thënë Escobar në një bashkëbisedim virtual me gazetarë më 28 shkurt.

I pyetur nëse Kosova ka afate për formim të Asociacionit, Escobar ka thënë se pyetja është se sa shpejt do të formohet.

“Besoj qe me këtë marrëveshje bazë, Kosova e ka kuptuar që duhet ta formojë Asociacionin] Nuk dua të vendos afate kohore, mirëpo dua të them se diskutimi duhet të nisë menjëherë”, u shpreh Escobar.

Edhe nga Departamenti i Shtetit është thënë se themelimi i Asociacionit mbetet kritik për Kosovën.

“Progresi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik, i pavarur dhe i integruar në strukturat euroatlantike”, thuhet në njoftimin e DASH, të lëshuar më 28 shkurt.

Kujtojmë se zyrtarët e lartë amerikanë më herët kanë deklaruar se nuk do të lejojnë formimin e një Republike Sërpska në Kosovë.

I gjendur përballë presionit të bashkësisë ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit, kryeministri Albin Kurti, në shkurt të këtij viti paraqiti gjashtë kushte për formimin e këtij organi.

Ai ka kërkuar që Asociacioni të mos jetë njëetnik, ta ndryshojë emrin dhe të mos ketë pushtet ekzekutiv.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të Brukselit, kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015.

Por, Gjykata Kushtetuese ka gjetur se marrëveshja e fundit nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia insiston në themelimin e Asociacionit, por Qeveria e Kosovës e kundërshton një asociacionin njëetnik, që thotë se do të mund të krijonte një nivel të ri të pushtetit.