Pas publikimit të audio-incizimeve, shkarkohet drejtor i Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu

Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare,Dardan Nuhiu, është shkarkuar sot pas audio-incizimeve të publikuara në media, të cilat e implikojnë në raste të ndryshme të ndikimit te personat e caktuar nëpër institucione.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Pas shqyrtimit të audioincizimeve të publikuara në media dje e sot, të cilat implikojnë Drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Bordi Mbikëqyrës, në mbledhjen e mbajtur sot, mori vendim që të njëjtin ta shkarkojë me efekt të menjëhershëm”, ka shkruar ai në Facebook.

Në audio-incizimet e transmetuara nga mediumi “Shqip”, në një bisedë dëgjohet të thotë se për 2-3 vjet do të realizojë planin e tij që lidhet me mediat si dhe përmend se ka informacione për persona në strukturën shtetërore.

Në postin e drejtorit të Njësisë së Inteligjencës Financiare, Nuhiu ishte emruar në vitin 2011.