Pas sulmeve në veri, Policia e Kosovës shton patrullimin në Bërnjak

Janë shtuar patrullimet e Policisë së Kosovës në drejtim të Bërnjakut, kjo pasi gjatë ditës së sotme një njësi patrulluese kufitare sërish është sulmuar me armë zjarri në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.

Telegrafi po ashtu ka siguruar foto dhe video të patrullimeve të Policisë së Kosovës.

Më herët zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani bëri të ditur se një njësi patrulluese kufitare në Zupçe të Zubin Potokut është sulmuar në orët e hershme të mëngjesit.

Nga ky sulm thekson se nuk ka persona të lënduar.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar”, ka deklaruar Kelani.

Ndërkaq, mbledhja e Këshillit të Sigurimit, shefja e UNMIK-ut kërkoi të sillen para drejtësisë ata që sulmuan Policinë e Kosovës në veri

Tutje ka shtuar se Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve.

Sulmi i parë sipas zyrtarëve të Kosovës, ka ndodhur më 13 prill, ndërsa për një javë janë regjistruar pesë sulme në total.

Së fundi policia në veri ishte sulmuar me granatë dore dhe AK 47. MPB e kishte konsideruar si akt terrorist, duke thënë se është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policor por dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ndërkaq, rastin e kishte dënuar shefja e UNMIK-ut Caroline Ziadeh.

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, javën e kaluar, Ziadeh sulmin në veri e ka konsideruar incident shqetësues.

“Incidente shqetësuese kanë ndodhur në veri të Kosovës. Sulmet kriminale kanë qenë shumë të forta. Ka pasur edhe gjuajtje me armë ndaj patrullave policore. Ata që kanë kryer këto vepra duhet të sillen para dr.ejtësisë”, ka deklaruar ajo.