Partia Demokratike e Kosovës sot e dërgoi për vlerësim Ligjin për Fondin Sovran në Gjykatën Kushtetuese.
Ferat Shala nga PDK tha se janë të bindur që ky ligj do të duhej të kthej dhe suprimohej sepse sipas tij kjo qeveri me ligje të tilla diskriminuese po orvatet të kap resurset dhe asetet.
“Dështimet ekonomike që ka arritur në këto tri vjet në këto ndërmarrje po orvatet të vendosë një super-strukturë menaxhuese për të krijuar pabarazi dhe për të hap linja të reja të kontrollit mbi këto asete”, tha ai, raporton Telegrafi.
Avokati i PDK-së, Faton Fetahu në një deklaratë për media tha se sot kanë parashtruar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit për Fondin Sovran.
Ai tha se ky ligj krijon pabarazi, pasiguri juridike dhe në tërësi kanë evidentuar që 11 nene të Ligjit për Fondin Sovran janë në kundërshtim me 7 nene të Kushtetutës.
Sipas tij, po ashtu ky ligj krijon monopol në treg dhe do ta cenoj substancialisht edhe konkurrencën e lirë dhe parimet themelore të ekonomisë së tregut të lirë.
Avokati Fetahu tha më tej se Ligji për Fondin Sovran në mënyrë shprehimore i suspendon disa ligje shumë të rëndësishme.
Ai tha se është i bindur se ky ligj do të shpallet anti-kushtetues.
Ndryshe, i njëjti ligj ditë më parë është dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.







