PDK nuk merr pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit për referendumin serb

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për nesër. Sipas kësaj partie opozitare, diskutimi për referendumin e Serbisë brenda territorit të Kosovës është i panevojshëm dhe se qeveria po përpiqet t’i shmanget përgjegjësive.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në një konferencë për media, ka thënë se qeveria do të duhej të kishte koordinim më të mirë për t’i bindur vendet e QUINT-it, për mos lejimin e mbajtjes së referendumit.

“Qëndrimi ynë tashmë i njohur ku për ne organizimi dhe mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë përbën një shkelje të sovranitetit dhe të rendit tonë kushtetues. Në këtë kuadër, ne i kemi paraprirë dhe kemi mbështetur qasjen për të mos lejuar organizimin e këtij referendumi. Do të dëshironim që Qeveria të kishte pasur një koordinim më të mirë me vendet e QUINT-it dhe veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në raport me këtë çështje, sepse kërkesa nga Republika e Serbisë drejtuar Republikës së Kosovës përmes OSBE-së për organizimin e këtij referendumi, ka ardhur gjatë dhjetorit”, ka thënë Tahiri, transmeton KP.

Sipas tij, gjatë kësaj periudhe do të duhej të kishte një ofensivë diplomatike të qeverisë dhe presidentes, në mënyrë që t’i bindin partnerët se një kërkesë e tillë cenon rendin kushtetues.

“Fatkeqësisht qeveria ka vendosur të hesht dhe të mos e bëjë një gjë të tillë. Por përkundër kësaj, kjo çështje tashmë ka epilog. Megjithatë, edhe pse e kemi një qëndrim të qeverisë, qeveria dhe mazhoranca, kanë bërë thirrje për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për nesër, për ta shtruar këtë temë edhe për debat brenda kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës e sheh krejtësisht të panevojshme thirrjen e kësaj seance dhe nuk do t’i përgjigjemi dhe nuk do të jemi pjesë e saj ditën e nesërme. Ne i kemi dhënë mbështetje një parimi, të cilin qeveria e ka shtyrë përpara dhe mendojmë se kjo nuk ka nevojë të prodhojë debat të mëtejmë. Prandaj, e konsiderojmë të panevojshme mbajtjen e një seance të tillë, e cila është përpjekje për shmangie të përgjegjësisë nga ana e qeverisë”, ka thënë Tahiri.

Tahiri shtoi se zbatimi i ligjeve dhe vendimeve është përgjegjësi kushtetuese e qeverisë dhe jo e kuvendit.

“Për më tepër, rendi ynë kushtetues nuk mund të mbrohet me rezoluta. Qeveria i ka të gjitha instrumentet në dorë për të mbrojtur rendin tonë kushtetues dhe për t’i qëndruar mbrapa vendimeve të saj”, ka thënë Abelard Tahiri.

Nesër në orën 14:00 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme, ku do të diskutohet në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Kosovës. Institucionet e Kosovës i kanë bërë thirrje shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për të ndaluar veprimet e Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës.

Me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Kuvendi i Kosovës nesër (e shtunë) në orën 14:00 do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, ku do të diskutohet në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.

Ndyrshe, krerët shtetëror të Republikës së Kosovës, në një takim të përbashkët me Ambasadorët e Quint-it dhe përfaqësuesin e BE-së, paraqitën sot qëndrimin e tyre të koordinuar dhe të përbashkët lidhur me mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca, si dhe kryeministri Albin Kurti dolën me deklaratë të përbashkët pas takimit me ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-së, duke theksuar edhe një herë kundërshtimin e tyre për mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Në deklaratë thuhet se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës.

Krerët e shtetit i kanë thënë ambasadorëve se qytetarët serbë të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse.

Sipas tyre, edhe praktikat e deritanishme të aplikuara që nga viti 2012, kanë qenë kundërkushtetuese, e si rrjedhojë nuk i obligojnë institucionet e tanishme të Republikës së Kosovës të dala nga vullneti i qartë i qytetarëve i shprehur më 14 shkurt 2021.

Institucionet e Kosovës kanë theksuar se çështja nuk është roli i OSBE-së, por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë.

Institucionet e Kosovës i kanë bërë thirrje të gjitha shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës. Për më tepër, sipas tyre, kjo praktikë e Serbisë, që po e ndjekë modelin rus, ka mbështetjen e plotë të Federatës Ruse.