PE i “hap derën” Ukrainës, Metsola: Besoj se procedura mund të fillojë brenda 2023

Në kulmin e luftimeve me rusinë, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola është shprehur se Ukraina e ka të ardhmen në BE. Pas një takimi në qytetin e Lvivit me presidentin Zelensky, zyrtarja europiane u shpreh se anëtarësimi mund të fillojë brenda këtij viti.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka shprehur mbështetjen për aplikimin e Ukrainës për anëtarësim në Union brenda vitit 2023.

Deklaratën e saj zyrtarja e PE e bëri pasi u takua me presidentin Volodymyr Zelensky, dhe me kryetarin e Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk në qytetin e Lvivit.

Tema kryesore e takimit ishte integrimi evropian i Ukrainës, perspektivat e tij dhe hapat e ardhshëm të këtij procesi.

Presidentja e PE, theksoi se negociatat e pranimit duhet të fillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, mundësisht brenda vitit 2023.

Zyrtarja europiane dha mesazhin se “e ardhmja e Ukrainës është në Bashkimin Evropian”, në mesin e luftës me Rusinë.

Në qershor të vitit 2022 institucionet e Brukselit i dhanë Kievit statusin e vendit kandidat, katër muaj pasi nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Por, procesi për anëtarësim mund të marrë disa vite dhe vendimi final varet nga qeveritë e shteteve anëtare të BE-së, disa prej të cilave janë skeptike se Ukraina mund të rimëkëmbet nga lufta dhe të zbatojë reformat e nevojshme demokratike dhe kundër korrupsionit në mënyrë që të përmbushë kushtet për anëtarësim të shpejtë.

Në lidhje me këtë çështje, presidenti ukrainas Zelensky ka thënë se vendi i tij synon të kompletojë dhe zbatojë rekomandimet e Komisionit Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të nisë negociatat për anëtarësim në BE gjatë këtij viti.

Nga ana tjetër luftimet në Ukrainë vazhdojnë ndërkohë që zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitri Medvedev, kërcënoi se Moska do të përdorë raketat nëse Ukraina nuk tërhiqet nga planet për ndërtimin e një fabrike tankesh.

Zyrtari rus ka thënë se Moska mezi e pret këtë ngjarje për ta përshëndetur me një “Caliber” dhe mjete të tjera, duke iu referuar arsenalit të raketave që disponohen nga ushtria e Moskës.

Mediat kanë raportuar se koncerni gjerman i armëve Rheinmetall po negocion ndërtimin e një fabrike tankesh në Ukrainë.

Kostoja e parashikuar e projektit është 200 milionë euro, ndërsa kapaciteti deri në 400 tanke në vit. /ora