Peci: Nënshkrova vendimin për lirimin e pronës së Institutit Bujqësor të Kosovës në Prishtinë

Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se ka nënshkruar vendim për lirimin e pronës së Institutit për Hulumtime Shkencore në Bujqësi që gjendet në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Në atë pronë, ku gjendet edhe selia e AAK-së, Peci ka thënë se janë ndërtuar “ilegalisht 700 metra lokale afariste, është bërë tjetërsim dhe bartje e pronës nga shtetërore në private, është shndërruar oborri në depo, ndërsa s’ka pasur veprim nga pesë ish-ministra”.

Peci ka thënë se ka denoncuar rastin në Prokurori por nuk është marrë asnjë veprim.

“Për të gjitha këto dukuri, tjetërsimin e dyshimtë të pronave, aneksimin, ndërtimet e vrazhda brenda objektit të Institutit Bujqësor të Kosovës, para afro një viti unë kam denoncuar publikisht dhe ia kam dërguar të gjitha provat Prokurorisë së Shtetit. Përkundër pritjes sonë gati njëvjeçare, asnjë veprim nuk është ndërmarrë. Protagonisti kryesor, drejtori aktual i Institutit bën sfilata në studio televizive dhe kërcënon me padi titullarin e institucionit, ndërsa në qendër të Prishtinës në Ulpianë qëndron si ‘Luan’ objekti i korrupsionit edhe i zhvatjes së tij. Mirëpo, ky nuk është protagonisti i vetëm. Përveç kësaj për afro 11 vjet, 5 ish-ministrat e Bujqësisë, përveç se nuk kanë marrë asnjë veprim në parandalimin e abuzimeve dhe shfrytëzimit të pronës së Ministrisë së Bujqësisë, ata madje dhe i kanë lejuar ndërtimet e tilla. Unë si ministër nuk kam qëndruar duarkryq. Pas heshtjes së Prokurorisë, dje duke u bazuar në përgjegjësitë e mia ligjore, dhe kushtetuese, kam marrë vendim që objekti që është pronë e Ministrisë së Bujqësisë të i rikthehet titullarit në shfrytëzim”, ka theksuar Peci në një video të postuar në Facebook.

Ai të martën po ashtu paralajmëroi rrënimin e 25 vilave në Stankaj të Pejës, që ka thënë se janë ndërtuar ilegalisht në pronat e Institutit Bujqësor të Kosovës. /koha