Pekini të ndalojë dhunën dhe abuzimet ndaj muslimanëve ujgurë

Studentët indonezianë dje mbajtën një tubim përpara ambasadës kineze në Xhakartë, duke kërkuar që Pekini të ndalojë dhunën dhe abuzimet e të drejtave të njeriut kundër muslimanëve ujgurë, raporton Anadolu Agency (AA).

Aleanca Studentore Islame (AMI) gjithashtu i kërkoi qeverisë indoneziane të bojkotojë produktet kineze.

“Ne bëjmë thirrje për t’i dhënë fund të gjitha formave të shkeljeve të të drejtave të njeriut, përfshirë torturat dhe masakrimin e ujgurëve etnikë”, tha për AA, Rimbo Bugis, një koordinator i tubimit.

Protestuesit po ashtu kërkuan që çështjet e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Xinjiang të sillen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Ne gjithashtu do të ftojmë njerëz të feve tjera dhe grupeve tjera (për të protestuar) sepse, për ne, nuk është çështje vetëm e masakrimit të muslimanëve por një masakër e njerëzimit”, tha Bugis.

Protestuesit kryen gjithashtu shfaqje teatrale, duke portretizuar veprime diskriminuese kundër ujgurëve nga forcat kineze.

Në janar, SHBA-të theksuan se Kina ka kryer “krime kundër njerëzimit dhe mbase gjenocid” kundër ujgurëve dhe komuniteteve tjera të pakicave muslimane në provincën perëndimore Xinjiang.

Herët këtë javë, ministrat e Jashtëm të Kanadasë dhe Britanisë së Madhe dhe sekretari i Shtetit i SHBA-së lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke shprehur shqetësim mbi “shkeljet dhe abuzimet e të drejtave të njeriut” të qeverisë kineze në rajon.

Duke theksuar se ata “kanë ndërmarrë një veprim të koordinuar mbi masat, paralelisht me masat e BE-së”, tre diplomatët e lartë theksuan se duan të sqarojnë se çfarë mendojnë për “shkeljet dhe abuzimet e të drejtave të njeriut”.

Rajoni Xinjiang është shtëpia e rreth 10 milionë ujgurëve. Grupi musliman, i cili përbën rreth 45 për qind të popullsisë së Xinjiangut, ka akuzuar prej kohësh autoritetet kineze për diskriminim kulturor, fetar dhe ekonomik.