Pentagoni: Turqia ka pranuar të qëndrojë në Afganistan dhe të ruajë aeroportin e Kabulit

John Kirby

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes (Pentagon), John Kirby tha se Turqia e ka pranuar të qëndrojë në Afganistan dhe të ruajë Aeroportin “Hamid Karzai”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve në konferencën e përditshme për shtyp, Kirby deklaroi se ata e ndjekin nga afër situatën e sigurisë në Afganistan, mirëpo kalendari për tërheqjen e plotë të SHBA nuk ka ndryshuar.

Kur u pyet nëse ishte arritur apo jo një marrëveshje për ruajtjen e Aeroportit “Hamid Karzai” (në Kabul) gjatë bisedës telefonike midis ministrit turk të Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar dhe Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, zëdhënësi Kirby tha se ky kontakt kishte qenë në cilësinë e vazhdimit të takimit të realizuar javën e kaluar mes Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) dhe Presidentit të ShBA-së, Joe Biden, në kuadër të Samitit të NATO-s.

“Turqia ka rënë dakord të marrë rolin udhëheqës në mbrojtjen e aeroportit të Kabulit. Megjithatë puna mbi detajet vazhdon. Ka akoma shumë punë për të bërë. Pala turke tha se ata kanë nevojë për mbështetje nga ShBA dhe bashkësia ndërkombëtare. Po punojmë në lidhje me këtë”, sqaroi zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby. /trt