Për 8 muaj 10 punëtorë të vdekur nga lëndimet në punë

Deri në fund të muajit gusht janë shënuar 10 raste të vdekjeve si pasojë e lëndimeve në vendin e punës, shkruan sot Koha Ditore.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur në Sektorin Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se 5 punëtorë kanë vdekur në vendin e punës, ndërsa 5 të tjerë pas një kohe si pasojë e lëndimeve në punë.

Ai ka thënë se për dallim nga viti i kaluar është shënuar rritje e këtyre rasteve derisa ka shtuar se mbi 90% nuk respektohet Ligji i punës dhe ai për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Ai ka shtuar se kanë kërkuar edhe nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenie Sociale që t’i ndihmojë rreth një fushate sensibilizuese për shëndetin dhe sigurinë në punë, por nuk kanë gjetur përkrahje.

Axemi e ka fajësuar edhe Inspektoratin e Punës, pasi, sipas tij, nuk i njofton ata rreth dënimeve që mund t’u shqiptojë pronarëve të kompanive për mosrespektim të ligjit.