Ballina Artikuj Për hirë të Atij që agjëron, fale namazin! – Mesazhe Ramazani 4

Për hirë të Atij që agjëron, fale namazin! – Mesazhe Ramazani 4

Hoxhë Sadik Avdiu

Namazi është shtylla e dytë e Islamit, menjëherë pas Shehadetit.

Andaj duhet kuptuar sakt dhe drejtë pozitën e namazit në Islam, duke mos anashkaluar e keqkuptuar atë.

Thotë Allahu i Madhëruar në Kuranin Fisnik:

“Vërtet, vetëm Unë jam Allahu, nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet pos Meje, pra Mua më adhuro dhe fale namazin për të më kujtuar Mua.”

(Taha, 14)

Transmetohet nga Ibn Umeri Allahu qoftë i kënaqur me të se Profeti alejhi selam ka thënë: “Është ndërtuar Islami mbi pesë shtylla: mbi dëshminë se nuk ka të adhuruar me të drejtë pos Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe vizita e Qabes për kë ka mundësi”.

Imagjino një çast në ditën tënde kur shqetësimet e jetës të lëndojnë, kur zhurmat e botës shtohen dhe ke nevojë të mbetesh vetëm dhe Ai që të krijoi të dëgjon dhe të flet.

Ky çast është namazi, biseda më e sinqertë, më e thellë dhe më e qetësuese që mund të përjetojë një zemër.

Çdo herë që ngre duart për të filluar namazin, është sikur po troket në derën e mëshirës së Allahut.

Kur vendos ballin në sexhde, është momenti kur je më afër Tij, është çasti kur njeriu e ndjen shpirtin të lirë, të pastër, të mbushur me paqe.

Nga lutjet e të dashurit të ngushtë të Mëshiruesit, Ibrahimit alejhi selam ishte: “O Zoti im më bëjë mua falës të namazit, po ashtu dhe pasardhësit e mi, o Zoti ynë na e prano lutjen”

(Ibrahim 40).

Namazin duhet trajtuar si një dhuratë, si një afërsi nga Zoti dhe tek Zoti, si një dritë në errësirë, atëherë do ta presësh me mall çdo herë.

Namazi nuk është barrë, është shpëtim. Nuk është vetëm një rit, është një përjetim.

Nuk është thjesht një lutje, është një afrim tek Zoti i Madhëruar.

Imagjinoje këtë: Ne, me gjithë mëkatet, me gjithë gabimet, me gjithë brengat, duke u përkulur para Zotit të Madhërishëm që di çdo gjë për ne, por që prapë na do, prapë na pret, prapë na falë.

A ke ndjerë ndonjëherë atë qetësinë e pashpjegueshme pas një namazi të sinqertë?

Kur ndjen sikur një barrë e padukshme është hequr nga zemra yte?

Kur për një moment, çdo shqetësim venitet dhe gjithçka që mbetet është një ndjenjë lehtësie dhe siguri.

Kjo është fuqia e namazit. Nuk është vetëm një adhurim, është një shërim.

Ndaj, kur jeta të rëndon, mos u largo nga sexhdeja. Sepse aty është vendi ku lotët bëhen lutje, ku frika bëhet forcë dhe ku shpirti gjen rrugën e kthimit te Zoti i tij.

Prandaj, mos lejo që jeta të të largojë prej Tij, por perpiqu që namazi të të afroj më shumë me Allahun e Madhëruar.

Namazi nuk është thjesht detyrë është dashuri, është thirrja e shpirtit që gjenë paqen tek Ai që kurrë nuk të lë vetëm.

Hoxhë Sadik Avdiu