Për shkak të kohës së provimeve aktivistët e SKV-së lirohen nga arresti shtëpiak

Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ua ka ndërprerë masën e arrestit shtëpiak aktivistëve të organizatës studentore “Studim, Kritikë, Veprim”, Korab Muhadri, Pajtim Demaj, Hajredin Krasniqi, Kreshnik Gega, Jonuz Shatri dhe Endrit Shatri.

Kërkesa për ndërprerjen e kësaj mase nga ana e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre është arsyetuar me kohën e provimeve, për çka nuk ka kundërshtuar as prokurori Fatmir Bajrami, e ku më pas gjykata ka marr vendim duke e pranuar një kërkesë të tillë, pasi ata mund të dëmtohen nga ky proces.

“Kemi hala ligjërata edhe prezantime, shpejt kemi me fillu me provime, kërkoi nga gjykata që të më ndërprehët masa e arrestit shtëpiak, premtoj që do të paraqitem në gjykatë sa herë që të ftohëm”, tha Korab Muhadri.

Kërkesë të njëjtë si të Muhadrit e patën edhe të gjithë të akuzuarit të tjerë, të përkrahur edhe nga avokatët e tyre.

Prokurori Bajrami e konsideroi të arsyeshme kërkesën e të akuzuarve duke deklaruar se një masë e tillë mund t’i dëmtoi të akuzuarit në këtë proces.

“Në këtë seancë dëgjimore i dëgjova kërkesat e tyre për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak me arsyetimin se të njëjtit janë student dhe kanë kohën e provimeve dhe se kjo masë po i privon nga e drejta e dhënies së provimeve në afatin e qershorit, duke pasur parasysh këto rrethana konsideroj të arsyeshme për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak pasi një masë e tillë do të i dëmtoi interesat e të pandehurve”, deklaroi prokurori.

Gjykatësi, po ashtu para se të merrte vendimin me të cilin të akuzuarve tu hiqej masa e arrestit shtëpiak, i pyeti zyrtarët policorë të stacioneve përkatëse lidhur me respektimin e arrestit shtëpiak, të cilët deklaruan se të akuzuarit e kanë respektuar këtë masë.

Në seancën fillestare të mbajtur më 21 maj, të akuzuarit mohuan se të njëjtit kanë kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, duke sulmuar policët në Parkun e Qytetit, në Prishtinë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë më 07 maj 2018, ndaj Korab Muhadrit, Pajtim Demaj, Hajredin Krasniqit, Kreshnik Gegës, Jonuz Shatrit dhe Endrit Shatrit me pretendimin se kanë kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë më 12 prill 2018, në Parkun e Qytetit kishin organizuar një tubimi pa lejen e organit kompetent, ku thuhej se në këtë organizimin merrnin pjesë 90-100 persona e në të cilin konsumohej edhe alkool.

Sipas prokurorisë, pas bisedimit me organizatorin e eventit, policia ishte njoftuar se ky event është organizuar nga ana e organizatës studentore “Studim, Kritikë, Veprim (SKV), kurse nga organizatori Jonuz Shatri kishin kërkuar paraqitjen e lejes për këtë rast, mirëpo i njëjti nuk e kishte prezantuar një të tillë, andaj ishte kërkuar të shoqërohej në stacion policor.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, pasi që i akuzuari Shatri, nuk kishte prezantuar lejen për organizimin e atij eventi, i njëjti kishte reaguar duke sulmuar policët prezent dhe kur kishte eskaluar situata edhe të akuzuarit e tjerë kishin sulmuar policët me gota të plastikës me birrë, pastaj i kishin goditur me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë ishin lënduar policët Zjarr Gashi, Agon Haxhija, Blerim Bajrami, Agon Elshani, Murat Canolli, Gëzim Azemi dhe Mehmet Fazliu.