Perandoria Perse, e njohur edhe si Shteti i Persëve ose Shteti Aksurian, konsiderohej një nga shtetet më të mëdha dhe më të fuqishme që sunduan rajonin para dërgimit të Profetit Muhamed (a.s), aq sa ajo tejkaloi Perandorinë Bizantine në famë dhe fuqi. Kjo perandori kaloi nëpër disa faza para dhe pas dërgimit të Profetit. Në këtë artikull do të përqendrohemi në përmendjen e sistemeve politike, fetare dhe shoqërore që mbizotëronin në Perandorinë Persiane para ardhjes së Islamit.
Gjendja politike dhe ekonomike:
Në shekullin e VII pas Krishtit, shteti Sasanid sundonte në tokat e Iranit, dhe persët përbënin bërthamën e perandorisë. Ai gjithashtu i nënshtroi turqit në tokat përtej lumit dhe arabët në Irak. Kufijtë perëndimorë të perandorisë nuk ishin të qëndrueshëm. Ndonjëherë ajo mund të mbizotëronte në skajet e Sham-it, siç ndodhi në vitin 614 pas Krishtit, kur persët pushtuan Sham-in dhe morën kontrollin e Jerusalemit. Më pas, ata pushtuan Egjiptin në vitin 616.
Perandori, Herakliu i Bizantit nuk e dorëzoi vendin, por riorganizoi shtetin dhe ushtrinë e tij, duke mundur persët në Azinë e Vogël në vitin 622, dhe më pas rimori Sirinë dhe Egjiptin në vitin 625. Në vitin 627 (6 Hixhri), ai i goditi persët rëndë pranë rrënojave të Ninivës, duke çuar në një kryengritje në kryeqytet (Madain) kundër Kisra II. Pas kësaj, pasardhësi i tij, Shirveh, nënshkroi paqe me Herakliun.
Megjithatë, gjendja e Perandorisë Persiane nuk u stabilizua, pasi shpërthyen kryengritje dhe grusht-shteti të brendshëm. Në nëntë vitet e ardhshme, katërmbëdhjetë sundimtarë pasuan njëri-tjetrin në fronin e Persisë, duke copëtuar strukturën e shtetit dhe duke e shndërruar atë në një arenë trazirash të brendshme, deri sa arabët myslimanë e përfunduan pushtimin e saj gjatë epokës së fitoreve. Kjo është përmbledhja e ngjarjeve politike dhe ushtarake që përjetoi Perandoria Perse.
Sistemi i qeverisjes:
Sistemi i qeverisjes ishte absolut, monarkik dhe i centralizuar. Në krye qëndronte mbreti, me titullin Kisra, i cili kishte kompetenca të plota. Ndonjëherë ai përshkruhej me cilësi hyjnore. Kisra Abrovez e përshkroi veten si: “Njeriu i përjetshëm mes perëndive, dhe Zoti i madh mes njerëzve.”
Kjo tregon arrogancë dhe madhështi të tepruar. Historianët e përshkruan atë si: “Mbreti i inatosur, hipokrit, lakmitar dhe i dobët frikacak.”
Ai i kushtonte rëndësi të madhe grumbullimit të arit, argjendit dhe gurëve të çmuar, të cilat mbushnin thesaret e tij, duke përdorur padrejtësinë dhe shfrytëzimin e varfërisë së popullit. Ai gjithashtu kërkonte këshilla nga fallxhorët, shpirtrat dhe magjistarët për të marrë vendime të rëndësishme.
Jeta ekonomike:
Të fuqishmit monopolizuan pasurinë dhe burimet e saj, duke u përfshirë në kënaqësitë dhe qejfet e jetës. Ata e rritën pasurinë e tyre përmes kamatës, taksave të rënda dhe tarifave që vendosnin mbi të dobëtit, bujqit dhe masën e gjerë të popullsisë. Këta të fundit u bënë edhe më të varfër dhe të mjerueshëm. Njerëzve u ndalohej të punonin në ndonjë zanat apo të merreshin me aktivitet tjetër përveç atij që kishin trashëguar nga babai.
Populli i zakonshëm në qytete paguante taksat, si bujqit. Ata merreshin me tregti dhe zanate, duke qenë në gjendje më të mirë se bujqit, të cilët ishin të lidhur me tokën. Mbledhësit e taksave shpesh nuk shmangnin tradhtinë dhe grabitjen e pasurive gjatë vlerësimit dhe mbledhjes së taksave, dhe ato shpesh vendoseshin në mënyrë arbitrare, veçanërisht gjatë kohës së luftërave.
Gjendja fetare dhe intelektuale:
Persët nuk e njihnin fenë e vërtetë, sepse ajo – që ishte para ardhjes së Islamit – nuk ishte përhapur gjerësisht, përveç në një rreth shumë të kufizuar. Shumica prej tyre ishin magjistarë. Që nga shekulli i III pas Krishtit, Zoroastrizmi u bë fe e shtetit. Megjithatë, morali i klerit zoroastrian u degradua; ata u përshkruan si hipokritë, materialistë dhe të përfshirë vetëm në kënaqësitë e kësaj bote. Kisra II tentoi të rivendoste Zoroastrizmin, të ringjallte tempujt e zjarrit dhe të përhapte interpretimin e ri të librit të shenjtë “Avesta”, duke dënuar me vdekje këdo që dilte kundër tij.
Zoroastrizmi bazohej në doktrinën e dyfishtë, që do të thotë ekzistenca e dy perëndive në univers: Perëndia e Dritës (Ahura Mazda) dhe Perëndia i Errësirës (Ahriman), të cilët luftonin për kontroll mbi universin. Njerëzit e mirë qëndronin me Perëndinë e Dritës, ndërsa të këqijtë me Perëndinë e Errësirës. Zoroastrizmi adhuronte zjarrin dhe tempuj të shumtë u ngritën në të gjithë shtetin. Klerikët zoroastrianë njiheshin si “Movbeds”, dhe secili drejtonte një grup të quajtur “Herabeds”, të cilët kujdeseshin për zjarrin e tempullit në çdo fshat.
Këto besime të gabuara nuk mund të jepnin qetësi shpirtërore dhe rehati psikologjike për njeriun, nuk e plotësonin dëshirën e tij për të adhuruar Allahun e Vetëm të Vërtetë dhe nuk ofronin vlera të larta morale apo rregulla të drejtësisë shoqërore.
Gjendja shoqërore dhe morale:
Jeta shoqërore në Iran bazohej mbi dy themele: gjenealogjia dhe pronësia. Ndërtesat e ndara dhe statusi i aristokracisë e dallonin atë nga populli i zakonshëm. Çdo individ kishte rangun dhe vendin e tij të përcaktuar brenda komunitetit. Një nga parimet e politikës Sasanide ishte që askush të mos synonte një rang më të lartë se ai që i jepte lindja.
Familja ishte e bazuar mbi poligaminë; martesat mes të afërmve ishin të zakonshme, dhe statusi i gruas ishte afër atij të një skllevërie, pasi burri mund të jepte gruan e tij tek një burrë tjetër pa miratimin e saj. Praktika e adoptimit të fëmijëve ishte e zakonshme. Degradimi seksual dhe i moralit shoqëror u përhap, veçanërisht me përhapjen e besimit Mazdak, të cilin e propagandoi Mazdaku (i lindur në vitin 487 pas Krishtit).
Përmbledhje:
Në përgjithësi, gjendja e botës para Islamit ishte në një nivel të lartë të keqësisë dhe degradimit që nuk mund të përshkruhej me fjalë. Allahu zbriti fenë e Tij të drejtë dhe shpëtimin për të gjithë njerëzit, duke udhëzuar ata nga humbja dhe duke i ndriçuar nga errësira. Ata që e pranuan ishin të lumtur në këtë botë dhe në tjetrën, ndërsa ata që e refuzuan ishin të mjerë në këtë botë dhe në tjetrën.
Autor: Ekrem Dija El Umeri
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com








