Përballja e 1.1 milionë fëmijëve afganë me kequshqyerje

Në Afganistan 1.1 milionë fëmijë nën moshën 5 vjeç ka të ngjarë të përballen me formën më të rëndë të kequshqyerjes këtë vit, sipas OKB-së, pasi një numër në rritje i fëmijëve të uritur e të humbur po sillen nëpër repartet e spitalit.

OKB-ja dhe agjencitë e tjera të ndihmës ishin në gjendje ta shmangin urinë e plotë pas pushtimit të Afganistanit nga talebanët vitin e kaluar, duke e zbatuar një program masiv ndihme emergjente që ushqeu miliona njerëz.

Mirëpo tash po luftojnë ta mbajnë ritmin me kushtet e përkeqësuara vazhdimisht. Varfëria po rritet dhe po bën që shumë afganë të kenë nevojë për ndihmë, çmimet globale të ushqimeve po rriten nga lufta në Ukrainë e premtimet për financim ndërkombëtar deri më tani nuk po realizohen, sipas një raporti të vlerësimit, i lëshuar këtë muaj.

Si rezultat, viktimat po bien të pambrojtur, duke përfshirë fëmijë, ama edhe nëna që përpiqen të ushqehen së bashku me familjet e tyre.

Nazia ka treguar se si i ka humbur katër fëmijë nga kequshqyerja – dy vajza e dy djem nën moshën 2-vjeçare. “Që të katër vdiqën shkaku i varfërisë dhe problemeve financiare”, ka theksuar Nazia, 30-vjeçare. Kur fëmijët i sëmureshin, nuk kishte para t’i trajtonte.

Nazia ka folur për Associated Press në Spitalin Charakar në provincën veriore të Parwanit, ku ajo bashkë më të bijën 7-muajshe po trajtoheshin nga kequshqyerja. Bashkëshorti i saj punon me honorar, por është i varur nga droga, andaj rrallë që sjell të holla në shtëpi, ka shpjeguar Nazia. Si shumë afganë të tjerë, ajo përdor vetëm një emër.

UNICEFI, agjencia e OKB-së për fëmijë, ka njoftuar se 1.1 milionë fëmijë pritet që të vuajnë nga kequshqyerja e rëndë akute, e njohur ndryshe si ndryshim i madh fizik që kthen trupin e fëmijëve në asht e lëkurë, pothuajse numër i dyfishtë nga viti 2018.

Asht e lëkurë

Ata kanë mbetur vetëm asht e lëkurë si pasojë e kequshqyerjes, në të cilin ushqimi mungon aq shumë saqë sistemi imunitar i fëmijës është i rrezikuar. Ata bëhen të pambrojtur ndaj periudhave të shumta të sëmundjeve dhe përfundimisht bëhen aq të dobët sa nuk mund të marrin lëndë ushqyese.

Numri i fëmijëve nën 5 vjeç që pranohen në institucionet shëndetësore me kequshqyerje të rëndë akute është rritur në mënyrë të vazhdueshme, nga 16 mijë në mars të vitit 2020, në 18 mijë në mars të vitit 2021, pastaj u rrit në 28 mijë në mars të vitit 2022, ka njoftuar Mohamed Ag Ayoya, përfaqësues i UNICEF-it në Afganistan, në një postim në Twitter.

I goditur nga thatësirat më të këqija në dekada e i shkatërruar nga vitet e luftës, Afganistani tashmë po përballej me emergjencë urie; mirëpo pushtimi i talebanëve në gusht e futi vendin në krizë. Shumë agjenci zhvillimi u tërhoqën dhe sanksionet ndërkombëtare ndërprenë miliarda financa për Qeverinë, duke e shembur ekonominë.

Miliona njerëz kaluan në varfëri, duke luftuar për të përballuar ushqimin për familjet e tyre. Deri në fund të vitit të kaluar, gjysma e popullsisë prej rreth 38 milionë banorësh jetonte nën kufirin e varfërisë, sipas shifrave të OKB-së. Teksa ekonomia vazhdon të shkërmoqet dhe çmimet rriten, varfëria mund të rritet këtë vit deri në 97% të popullsisë deri në mesin e vitit 2022, sipas Programit të Zhvillimit të OKB-së.

Për shkak të varfërisë, “nënat nuk kanë ushqimin e nevojshëm gjatë shtatzënisë dhe nuk kanë mundësi të hanë si duhet pas lindjes, ka thënë Mohammad Sharif, mjek në spitalin Charakar.

Në spitalin Mirwais në provincën jugore të Kandaharit, 1.100 fëmijë me kequshqyerje janë pranuar gjatë gjashtë muajve të fundit, 30 prej të cilëve kanë vdekur, ka bërë të ditur Mohammad Sediq, kreu i repartit të fëmijëve.

Nëna e foshnjës 6-muajshe, Kobra, nuk ka mundësi ta ushqejë me gjidhënie foshnjën. “Po humb peshë vazhdimisht dhe po qan shumë, e di se krejt kjo vjen nga uria, ama s’mund të bëj asgjë”, është shprehur ajo.

Në shtëpinë e saj, në distriktin e varfër të qytetit të Kandaharit, Jamila ka treguar se djali i vdiq muajin e kaluar pasi u diagnostikua me kequshqyerje të rëndë. Nëse nuk merr ndihmë nga askush, Jamila ka frikë për katër fëmijët e tjerë.

“Qeveria nuk na ka ndihmuar aspak, askush nuk pyet nëse jemi të uritur, a kemi ndonjë gjë për të ngrënë”, ka bërë të ditur ajo.

Programet humanitare

Agjencitë e OKB-së kanë nisur një program të madh ndihme pas pushtimit të talebanëve, duke u rritur deri në atë pikë, saqë tani ofrojnë ndihmë ushqimore për 38% të popullsisë.

Numri i njerëzve që përballen me pasiguri akute ushqimore ra pak nga 22.8 në fund të vitit të kaluar në 19.7 milionë aktualisht, sipas raportit të muajit maj nga IPC, një partneritet mes OKB-së dhe agjencive të tjera që vlerësojnë sigurinë ushqimore. Nga qershori deri në nëntor të këtij viti, ky numër pritet të bjerë pak më tej, në 18.9 milionë.

Megjithatë, këto reduktime të vogla “janë larg nga të treguarit tendencë pozitive”, ka paralajmëruar IPC.

Rënia ishte e ulët në krahasim me shkallën e ndihmës, ka thënë ai. Për më tepër, kushtet e përkeqësuara kërcënojnë t’i mposhtin përpjekjet. IPC-ja vuri në dukje rënien e vazhdueshme të ekonomisë, çmimet më të larta të ushqimit, karburantit dhe ndërprerjet e furnizimit të shkaktuara nga lufta në Ukrainë dhe “inflacioni i paprecedentë” në Afganistan.

Ndërkohë, mungesa e fondeve kërcënon shtrirjen e ndihmës. Përqindja e popullsisë që merr ndihmë ushqimore mund të bjerë në vetëm 8% gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, sepse deri më tani vetëm 601 milionë dollarë nga 4.4 miliardë dollarët e nevojshëm janë marrë nga komuniteti botëror, ka njoftuar IPC. Pak më shumë se 2 miliardë dollarë janë premtuar.

Melanie Galvin, shefe e programit të ushqyerjes së UNICEF-it në Afganistan, ka theksuar se shifra e 1.1 milionë fëmijëve erdhi nga vlerësimi vjetor i agjencisë, i kryer vjeshtën e kaluar dhe bazuar në kushtet e pritshme.

“Çdo vit, të gjithë faktorët që lidhen me kequshqyerjen vazhdojnë të rriten”, ka thënë ajo për AP. Thjesht vazhdon të rritet e të rritet në kushtet e një situate të përkeqësuar.

Thatësira ka qenë nxitësi kryesor i pasigurisë ushqimore, e shoqëruar nga varfëria në rritje, mungesa e qasjes në ujë të pastër dhe kujdes mjekësor, nevoja për vaksinim më të madh për sëmundje si fruthi që godasin fëmijët e kequshqyer.

Lajmi i mirë është se agjencitë kanë qasje në të gjithë vendin tani, ka treguar ajo. UNICEF hapi rreth 1000 vende trajtimi në vende të largëta ku prindërit mund të sjellin fëmijët e tyre të kequshqyer në vend që të udhëtojnë drejt qendrave më të mëdha urbane.

“Kemi nevojë për të gjithë këta faktorë në mjedisin e jashtëm që të përmirësohen”, ka shtuar Melanie.

Përktheu: Blerta Haxhiu/koha.net