Përfaqësues nga 30 vende dhe Komisioni Evropian kanë bërë thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive në Sudan, duke shprehur shqetësim të madh për sulmet e vazhdueshme vdekjeprurëse ndaj civilëve në të gjithë vendin, transmeton Anadolu.
Deklarata e përbashkët u nënshkrua nga përfaqësues nga 24 shtete anëtare të BE-së, së bashku me Kanadanë, Norvegjinë, Zelandën e Re, Mbretërinë e Bashkuar, Islandën dhe Zvicrën si dhe Komisionerrja Evropiane për Barazi, Përgatitje dhe Menaxhim të Krizave, Hadja Lahbib.
Greqia, Kroacia dhe Lituania ishin të vetmet shtete anëtare të BE-së që nuk u përfaqësuan.
Nënshkruesit shprehën “shqetësim të madh” për “sulmet e paligjshme” vdekjeprurëse të vazhdueshme ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile në shtetet Kordofan dhe Darfur të Sudanit dhe përsëritën “urgjentisht” thirrjen e tyre ndaj Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), Forcave të Armatosura Sudaneze (SAF) dhe milicive të tyre aleate që të “ndërpresin menjëherë armiqësitë”.
“Ne dënojmë dhunën e neveritshme kundër civilëve, veçanërisht grave dhe fëmijëve dhe të gjitha shkeljet serioze të së drejtës ndërkombëtare humanitare në termat më të ashpra. Këto shkelje mund të përbëjnë krime lufte ose krime kundër njerëzimit dhe duhet të hetohen menjëherë dhe në mënyrë të paanshme, me ata që janë përgjegjës për krimet ndërkombëtare të nxirren para drejtësisë”, thuhet në deklaratë.
U bëhet thirrje të gjitha palëve të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare, përfshirë detyrimet për të lejuar dhe lehtësuar aksesin e shpejtë, të sigurt dhe të papenguar në ushqim, ilaçe dhe furnizime të tjera thelbësore për civilët në nevojë.
Të dhënat nga zyra e të drejtave të njeriut e OKB-së tregojnë se të paktën 57 civilë, përfshirë 15 fëmijë, thuhet se u vranë midis 15 dhe 16 shkurtit në katër shtete në Sudan.
Më 15 shkurt, një sulm i dyshuar me dron i SAF goditi tregun Al Safiya në Kordofanin e Veriut, duke vrarë 28 civilë dhe duke plagosur 13 të tjerë. Të nesërmen, një tjetër sulm i dyshuar me dron i SAF goditi një strehë për persona të zhvendosur brenda vendit në Kordofanin Perëndimor, duke vrarë 26 civilë, përfshirë 15 fëmijë.


