Përfundimi i regjistrimit të popullsisë, sa do të jetë numri i banorëve në Kosovë?

Në Kosovë ka përfunduar procesi i regjistrimit të popullsisë, proces ky që kishte nisur në fillim të muajit prill.

Agjencia e Statistikave të Kosovës pritet që sot të mbajë konferencën për media, ku do të bëjë të ditur të dhënat e mbledhur nga terreni, për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.

Procesi i regjistrimit të popullsisë u bë pas dhjetë vitesh. Ndërsa, ditë më parë nga ASK kanë njoftuar se mbi 1 milion qytetarë janë regjistruar.

Para pak ditësh edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, falënderoi edhe ekipet e regjistruesve, tërë stafin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, dhe të gjithë përkrahësit e këtij procesi.

“Të dhënat e mbledhura do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira, për një zhvillim edhe më të hovshëm e më të qëndrueshëm të vendit tonë. Në veçanti i falënderoj edhe partnerët tanë ndërkombëtarë për bashkëpunimin. Së bashku mund të arrijmë gjithçka, të jemi edhe të numëruar edhe të lumtur”, kishte deklaruar Kurti.

Ndryshe, Sipas ASK-së procesi ka shkuar sipas planeve të parapara, duke përfshirë të gjitha komunat e Kosovës.