Përfundon afati kur Specialja duhej të vendoste për aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit, Koci beson se është konfirmuar

Janë bërë gjashtë muaj prej kur para Dhomave të Specializuara është paraqitur për konfirmim një aktakuzë, në të cilën si të dyshuar për krime lufte përmenden edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kreu i Partisë Demokratike, Kadri Veseli.

E premtja përbën afatin e skajshëm brenda të cilit gjyqtari i procedurës paraprake është dashur të vendosë për aktakuzën. Meqë Specialja nuk ka publikuar ndonjë informatë për këtë rast, juristët, si Arianit Koci besojnë që së paku pjesërisht aktakuza është konfirmuar, raporton KOHA.

Më 24 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ua paraqiti për shqyrtim Dhomave të Specializuara një aktakuzë me dhjetë pika, përmes së cilës Thaçi, Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Prokurori i Specializuar e kishte gjykuar të domosdoshëm nxjerrjen e kësaj informate për akuzat, pasi kishte thënë se Thaçi e Veseli po bënin përpjekje të përsëritura për pengimin dhe sabotimin e punës së Speciales.

Por, tash kur ka përfunduar afati brenda të cilës duhet konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuza, në Gjykatë kanë vendosur të mos ofrojnë të dhëna.

Avokati Koci tregon edhe arsyet pse Specialja mund të vendosë për të mos e ndarë me publikun informatën për aktakuzën kundër Thaçit e Veselit.

Edhe në Presidencë dhe në Partinë Demokratike kanë refuzuar të prononcohen për rastin. Megjithëkëtë, Thaçi e Veseli ishin deklaruar të pafajshëm, pas publikimit të lajmit për aktakuzën.

Edhe kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se ata duhet parë pa ndonjë faj, për aq kohë sa nuk vërtetohet e kundërta me aktgjykim të formës së prerë.

Gjykata Speciale ka në mandat t’i trajtojë pretendimet e shprehura në raportin e senatorit Dick Marty, të miratuar nga Këshilli i Evropës, e në të cilin dokument pretendohet që gjatë dhe menjëherë pas luftës të jenë kryer krime nga pjesëtarë të UÇK-së.

Deri tash, për krime të tilla është akuzuar vetëm Salih Mustafa, i cili prej një muaji ndodhet në paraburgim në Hagë, ku e ka selinë