Përfundon numërimi i votave, këto janë rezultatet përfundimtare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor, sipas të cilave Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese me shumicën e votave dhe ulëseve në Kuvend.

Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR) ka përfunduar edhe numërimi i pjesës së dytë të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës.

Pra grupi i fundit i fletëvotimeve që u numëruan ishin ato me postë, numërimi i të cilëve përfundoi në orën 02:00 të 9 janarit.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, me përfundimin e numërimit të këtyre votave, përmbyllet i gjithë procesi i numërimit të fletëvotimeve.

Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar 57 ulëse, me 51.11 për qind të votave, apo gjithsej 486,994 vota.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është renditur e dyta me 22 ulëse, duke marrë 20.19 për qind të votave, apo 192,407 vota.

Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 15 ulëse, me 13.23 për qind të votave, përkatësisht 126,102 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka fituar 6 ulëse, me 5.50 për qind të votave, apo 52,370 vota.

Lista Serbe (Srpska Lista) ka siguruar ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

Me këto rezultate, Kuvendi i Kosovës përbëhet nga 120 deputetë, përfshirë edhe ulëset e garantuara për komunitetet joshumicë.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit morën pjesë 45 për qind e trupit votues.