Përfundon procesi i votimit në Shqipëri – KQZ, votuan mbi 45 për qind

Është mbyllur procesi i votimit në Shqipëri.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 18:00, kanë votuar 45.47 për qind e votuesve.

Tirana është qyteti ku kanë votuar më shumë qytetarë të cilët kanë të drejtë vote madje zyrtarisht, me numrat e deritanishëm, kryeqyteti kalon edhe numrin e votuesve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 ku ishte 49.91% pjesëmarrja ndërsa tani ka arritur në 51.58%.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se janë regjistruar disa incidente, siç është fotografimi i votave apo hapja me vonesë e disa qendrave të votimit, por deri më tani nuk është raportuar për incidente serioze.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim dhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Sorca në një deklaratë për mediat nga qyteti i Durrësit, i kanë bërë thirrje prokurorëve të Shqipërisë që të hetojnë incidentet e ndodhura gjatë procesit të votimit.

“E di që janë raportuar disa incidente dhe tashmë është përgjegjësia e autoriteteve për të vazhduar hetimin. Siç e dini, ne i kemi bërë thirrje prokurorëve që ta ndjekin dhe të mund të hetojnë këto çështje deri në fund”, tha ambasadorja Kim.

Edhe Soreca ka përsëritur të njëjtat shqetësime.

“Votimi ka ecur mirë dhe pa probleme, me disa incidente, që do hetohen dhe në këto orë që kanë mbetur ftojmë qytetarët të votojnë”, tha ambasadori Luigi Soreca.

Sot rreth 3.6 milionë qytetarë shqiptarë kishin të drejtë vote për të zgjedhur 140 deputetët e parlamentit të ri dhe qeverinë e re që do të udhëheqë vendin për katër vjetët e ardhshme.

Në tërësi, në Shqipëri janë 12 qarqe, ku përfshihen 61 bashki, të ndara në 92 Zona të Administrimit Zgjedhor.

Janë 383 njësi administrative të përfshira.