Përfundon takimi i Escobarit me opozitën, Krasniqi: Partneriteti me SHBA-në është i paalternativë

Ka përfunduar takimi i liderëve të opozitës me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Lideri i PDK-së Memli Krasniqi ka thënë se komunikimi me aleatët strategjikë, është jo vetëm i mirëseardhur dhe i frytshëm, por edhe i domosdoshëm për t’i avancuar interesat e Kosovës.

“Nisur nga ky qëllim, sonte, në rezidencën e ambasadorit Hovenier zhvilluam një darkë pune me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Bashkë shkëmbyem qëndrimet për zhvillimet aktuale politike në vend dhe vizionin për një të ardhme më prosperuese për popullin dhe shtetin tonë. Kosova, çdo fitore dhe çdo sukses në rrugën e çlirimit, pavarësisë dhe shtetndërtimit e ka arritur me SHBA-të, prandaj, partneriteti ynë është i paalternativë edhe në rrugën e së ardhmes drejt integrimit euro-atlantik”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.