Mohimi i urisë dhe gjenocidit në Gaza, pavarërisht provave të pakundërshtueshme nga burime ndërkombëtare, është mjet i dezinformimit strategjik të Izraelit për ta larguar fajin nga vetja.
Përveç fushëbetejës në Gaza, ku bombat dhe uria e orkestruar lënë pas një gjurmë të përgjakshme, ekziston një arenë tjetër luftë jo pak e rëndësishme: ajo e medias.
Kur media bëhet bashkëpunëtore e propagandës që mohon gjenocidin, ajo nuk është më një pasqyrë neutrale, por shndërrohet në një armë duke manipuluar informacionin, duke heshtur mbi tmerrin në Gaza, apo duke i dhënë zë pa asnjë kritikë narrativës së agresorit. Në këtë cikël të pandërprerë dhune, media bëhet bashkëpunëtore dhe bashkëfajtore në gjenocid, duke mbuluar me një vello dezinformimi masakrat masive dhe duke legjitimuar një politikë të tokës së djegur.

Screenshot nga shkrimi i ambasadores izraelite me titull: “Uria që nuk ndodhi kurrë: Si arriti Hamasi të fabrikojë një shpifje gjakderdhëse kundër Izraelit”
Në këto momente kritike, demaskimi i propagandës nuk është thjesht një detyrë profesionale, por një akt thelbësor rezistence kundër brutalitetit dhe për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.
Në këtë kontekst, artikulli i Ambasadores së Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, i botuar në Klan Kosova me titullin “Uria që nuk ndodhi kurrë: Si arriti Hamasi të fabrikojë një shpifje gjakderdhëse kundër Izraelit,” nuk është thjesht një opinion, por një akt i dezinformimit strategjik. Shkrimi i Ambasadores pretendon se akuzat për uri masive në Gaza janë një “shpifje gjakderdhëse” e fabrikuar nga Hamasi dhe e sponsorizuar nga vender arab, e shoqëruar kjo me njëfarë lloj komploti të supozuar global kundër Izraelit. Po ashtu ajo pohon se Izraeli po lehtëson dërgimin e ndihmave humanitare,në Gaza.
Por cili është realiteti?
Provat e verifikueshme nga burime të besueshme ndërkombëtare e hedhin poshtë këtë narrativë zyrtare izraelite. Shkrime si ky i ambasadores izraelite janë thjeshtë taktika dezinformimi.
Përdorimi i termit “shpifje gjakderdhëse” si armë propagandistike
Përdorimi i termit “shpifje gjakderdhëse” (blood libel) në titull nuk është një zgjedhje rastësore. Ky term historik i referohet akuzave të rreme ndaj popullit hebre që kanë shkaktuar persekutim. Duke e përdorur këtë term, Ambasadorja synon të zhvendosë fokusin nga kriza humanitare në Gaza drejt një akuze për antisemitizëm kundër atyre që raportojnë për të. Kjo taktikë e sofistikuar propagande delegjitimon paraprakisht organizatat ndërkombëtare dhe mediat, duke e inkuadruar Izraelin si viktimë të një fushate dashakeqe. Qëllimi i saj është të provokojë reagime emocionale të forta dhe të heshtë kritikën, duke minuar shqetësimet legjitime humanitare.
Ndërkohë, Klan Kosova, duke botuar këtë artikull pa një fact-check të dukshëm apo një koment kritik, shndërrohet në një medium për këtë luftë strategjike informative të Izraelit.
Kjo ngre pikëpyethe etike serioze: a është e përgjegjshme që një media të publikojë përmbajtje nga një përfaqësues i një shteti që përballet me akuza për gjenocid dhe krime të rënda ndërkombëtare, veçanërisht kur përmbajtja bie ndesh me faktet e pranuara gjerësisht? Ky veprim rrezikon të normalizojë një narrativë që minimizon një katastrofë të rëndë humanitare dhe akuzat për gjenocid.
Realiteti i urgjencës humanitare: dëshmitë e padiskutueshme
Pretendimi se uria është e fabrikuar kundërshtohet fuqishëm nga dëshmi të shumta ndërkombëtare. Platforma e Klasifikimit të Fazave të Sigurisë Ushqimore (IPC), një nismë e mbështetur nga OKB-ja, në korrik 2025 lëshoi një alarm ku konfirmohet se “skenari më i keq i urisë po zhvillohet aktualisht në Rripin e Gazës”. Kjo platformë ka arritur në përfundimin se pragjet e urisë janë plotësuar për konsumin e ushqimit në shumicën e Gazës dhe për kequshqyerjen akute në qytetin e Gazës.
Të dhënat specifike tregojnë një situatë katastrofike:
Fëmijët e Rrezikuar: Mbi 320,000 fëmijë nën 5 vjeç janë në rrezik të kequshqyerjes akute. Në qytetin e Gazës, shkalla e kequshqyerjes akute te fëmijët është 18.5%, që do të thotë se pothuajse një në pesë fëmijë është kequshqyer rëndë.
Vdekjet: Spitalet kanë raportuar të paktën 16 vdekje të fëmijëve nën 5 vjeç nga uria që nga mesi i korrikut 2025. Ministria e Shëndetësisë në Gaza raportoi 154 vdekje të lidhura me kequshqyerjen deri në fund të korrikut, përfshirë 89 fëmijë.
Pasiguria ushqimore: Një në tre persona kalon ditë të tëra pa ushqim, dhe deri në shtator 2025, parashikohet që gjysma e milionit e njerëzve në Gaza do të jenë në Fazën 5 të IPC, e cila karakterizohet nga uria, varfëria dhe vdekja.
Zyrtarë të lartë të OKB-së si Ross Smith i Programit Botëror të Ushqimit dhe Sekretari i Përgjithshëm António Guterres, kanë konfirmuar ashpërsinë e situatës, duke e quajtur atë “një realitet që po shpaloset para syve tanë”. Organizata si Oxfam, MSF dhe Amnesty International gjithashtu kanë lëshuar paralajmërime të ashpra, me Amnesty që thekson se Izraeli po kryen gjenocid duke “shkaktuar qëllimisht kushte jetese te palestinezët të llogaritura për të sjellë shkatërrimin e tyre fizik“. Vështirësia në vërtetimin e plotë të vdekjeve nga kequshqyerja është pasojë e kolapsit të sistemeve shëndetësore, i shkaktuar nga dëmet e gjera në infrastrukturë, sulmet ndaj objekteve shëndetësore dhe vrasja e punonjësve shëndetësorë. Kjo krijon një cikël ku shkatërrimi i dëshmive lehtëson mohimin.
Pengesat e qëllimshme ndaj ndihmës humanitare
Pretendimi i Ambasadores Ziv se Izraeli po “lehtëson” ndihmën humanitare kundërshtohet nga raportet e detajuara të agjencive ndërkombëtare. Ekspertët e OKB-së akuzojnë Izraelin për “bllokim ose vonim të ndihmave”, duke theksuar se ky është një “krim lufte që synon të vrasë civilët me anë të urisë”. Një anketë e 35 agjencive të ndihmës zbuloi se Izraeli nuk ka përmirësuar aksesin humanitar pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).
Pengesat specifike të dokumentuara përfshijnë:
Burokracia dhe vonesat: MSF raportoi se mes janarit 2024 dhe marsit 2025, vetëm 28% e kërkesave të tyre për ujë dhe kanalizime u miratuan, me vonesa që varionin nga 60 deri në mbi 200 ditë. Edhe furnizimet e miratuara shpesh ktheheshin mbrapsht në pikat kufitare.
Mungesa e karburantit: Furnizimet e kufizuara të karburantit kanë detyruar UNRWA-n të reduktojë pompimin e ujit dhe turnet e qendrave shëndetësore, duke ndikuar në spitale dhe operacione humanitare.
Sulmet dhe pasiguria: Mbi 340 punonjës të UNRWA-së janë vrarë, si dhe mbi 1500 punonjës shëndetësorë. Sulmet ndaj civilëve që presin ndihma janë gjithnjë e më të shpeshta, me mbi 1200 viktima të raportuara.
Shkatërrimi i infrastrukturës: 70% e infrastrukturës së Gazës është shkatërruar, duke përfshirë shkatërrimin sistematik të infrastrukturës së ujit dhe kanalizimeve. Të gjitha impiantet e trajtimit të ujërave të zeza ishin shkatërruar deri në qershor 2025.
Ky nuk është thjesht një problem logjistik; është një model sistematik i pengesave që i shndërron proceset administrative në armë. Ekspertët e OKB-së e kanë quajtur Fondacionin Humanitar të Gazës (GHF) një “shembull thellësisht shqetësues se si ndihma humanitare mund të shfrytëzohet për agjenda të fshehta ushtarake”. Ky model krijon një fasadë “lehtësimi” ndërsa kufizon rëndë rrjedhën e ndihmave, duke lejuar Izraelin të menaxhojë nivelin e krizës humanitare dhe të zhvendosë fajin te të tjerët. Kjo qasje ka implikime të thella ligjore, pasi mund të konsiderohet si shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar.
Përdorimi i burimeve të dyshimta
Artikulli i Ambasadores Ziv mbështetet në burime me besueshmëri të dobët. Ai citon “tabloid gjerman Bild”, i cili ka një histori të gjatë me qortime për sensacionalizëm, pasaktësi faktike dhe raportim joetik. Bild ka mohuar urinë në Gaza, duke kundërshtuar drejtpërdrejt deklaratën e IPC-së, dhe artikujt e tij i bëjnë jehonë deklaratave të ish-ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, i cili në fillim të konfliktit urdhëroi një “rrethim të plotë” të Gazës.
Një burim tjetër i cituar është “Jewish Onliner,” një faqe interneti anonime, e regjistruar në dhjetor 2024, e cila deklaron hapur se nuk i konsideron raportet e saj si “gazetari konvencionale”. Fokusi i saj i deklaruar është “luftimi i antisemitizmit” dhe “ekspozimi i lëvizjeve anti-izraelite”. Kjo tregon një përzgjedhje të qëllimshme të burimeve që përforcojnë një narrativë politike të paracaktuar, në vend të një hetimi objektiv.
Për më tepër, hulumtimi ka treguar se qeveria izraelite dhe kompanitë kibernetike izraelite kanë përdorur mjete të Inteligjencës Artificiale (AI) dhe ferma bot-ësh për të shpërndarë dezinformim dhe për të dehumanizuar palestinezët. Ky përdorim sistematik i dezinformimit nga një aktor shtetëror, i amplifikuar nga media, gërryen besimin publik dhe minon diskursin demokratik.
Përgjegjësia e medias dhe roli i gazetarëve
Konflikti në Gaza është kthyer në një “luftë botërore online” me një “përmbytje të propagandës dhe dezinformimit”. Ndërsa të dyja palët janë akuzuar për dezinformim, ekziston një asimetri e rëndësishme: aftësia e qeverisë izraelite për të “kufizuar rëndë” aksesin e gazetarëve në Gaza, duke lejuar vetëm shoqërime me anë të IDF-së dhe duke rishikuar përmbajtjen. Ky kontroll në nivel shtetëror mbi rrjedhën e informacionit i jep Izraelit një avantazh të fuqishëm në formësimin e narrativave globale.
Ky kontroll mbi informacionin i bën mediat si Klan Kosova, të cilat publikojnë narrativa të tilla pa kritikë, mjete të propagandës shtetërore izraelite. Është përgjegjësi madhe e mediave që të rezistojnë aktivisht kundër këtij roli dhe të veprojnë si gardianë të së vërtetës, duke u siguruar që publiku të ketë akses në informacion të verifikueshëm dhe të paanshëm, veçanërisht në raste të tilla me pasoja të larta njerëzore.
Observer.al








