Përgjysmohet çmimi i biletave për autobus ndërurban për disa kategori

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka thënë se kanë marrë vendim që të përcaktojnë çmimoren për transportin ndërurban me autobus për fëmijët, studentët, invalidët e luftës dhe pensionistët.

Durmishi ka pohuar se për kategoritë e lartpërmendura do të përgjysmohet çmimi i biletës akutale, sipas tij kjo çmimore hyn në fuqi menjëherë dhe mbetët e tillë deri në normalizimin e çmimeve të derivateve të naftës.

“Duke pasur parasysh lëvizjet e çmimeve këtyre ditëve dhe në përputhje me kompetencat tona, kemi marrë vendim që të ndikojmë direkt në uljen e këtyre çmimeve për kategoritët që prek më shumë kjo gjendje, duke përcaktuar kështu çmimoren për transportin ndërurban me autobus për fëmijët, studentët, invdalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët. Për kategoritë e lartpërmendura, me këtë vendim përgjysmohet çmimi i biletës aktuale”, ka shkruar ai në Facebook.

Lidhur me çmimoren e vendosur nga Ministria e Infrastrukturës, Telegrafi ka provuar të marrë një deklaratë nga kryetari i Shoqatës së Transportuesve, Ruzhdi Kurtishaj, por që ky i fundit nuk është lajmëruar.

Në Kosovë nga rritja e çmimeve janë prekur shumë sektorë.