Ballina Lajmet Kosovë Përpjekja e 37-të për konstituimin e Kuvendit

Përpjekja e 37-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët e zgjedhur më 9 shkurt, do të mblidhen të mërkurën për herë të 37-të në seancën konstituive. Për shkak se partitë nuk po lëvizin nga qëndrimet e deritashme, nuk pritet që përpjekja e radhës të jetë e suksesshme.

Seanca do të nisë në orën 11:00.

Për 36 herë deri tash, Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese nuk ka siguruar shumicën për ta votuar emrin e Albulena Haxhiut fillimisht për kryeparlamentare, e më pas as komisionin për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Partitë që deri tash ishin në opozitë nuk kanë votuar për këtë komision.

Rregullorja e punës obligon deputetët të mblidhen çdo dy ditë për seancën konstituive, e cila konsiderohet e mbyllur pas zgjedhjes së kryesisë. Si rrjedhojë, Kuvendi po mban mbledhje çdo dy ditë tash e më shumë se 70 ditë.

E moskonstituimi po i kushton Kosovës me miliona euro. Mosratifikimi në Kuvend i marrëveshjes së Kosovës me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes nënkupton që Kosova nuk po mund të përfitojë ende nga ky buxhet multimilionësh. Për dallim, Serbia tashmë ka marrë mbi 50 milionët e parë.