Përpjekjet për ridimensionimin e së mirës dhe të keqes

Prof. Driton Arifi

Para ardhjes së shpalljes përfundimtare të Islamit, njerëzit jetonin në një konfuzion të thellë moral dhe në një gjendje anarkie gjithëpërfshirëse. Nuk ekzistonin kritere të qarta për të dalluar të mirën nga e keqja, as kufij që përcaktonin vlerat dhe antivlerat. Prandaj, siç edhe pritej, kjo fe mori përsipër që të përcaktojë standardet e të mirës, duke e bërë të ligjshme-hallall atë, dhe përcaktoi standardet e së keqes, duke e bërë të ndaluara-haram atë.

Allahu i Lartëmadhërishëm njoftoi se kriter për ta shpallur një vepër të lejuar, është të qenit të saj “e mirë”. Ai, në Kuran, tha:

“Sot u janë lejuar për ju gjërat e mira (e të pastra)…”. (El Maide, 5).

Pra, nominimi hyjnor i një vepre si e lejuar erdhi vetëm pasi e vlerësoi Krijuesi atë si vepër të mirë, ashtu siç nominimi i një tjetre si e ndaluar, erdhi vetëm pas klasifikimit të saj nga Ai, si vepër e shëmtuar dhe e keqe. Meqenëse standardet, teket dhe prirjet e njerëzve mund të vazhdojnë të mbesin në konfuzion të plotë dhe kundërshti të thella, kur ata bëjnë përpjekjet për ta kriterizuar të mirën dhe të keqen, atëherë ndërhyrja hyjnore bëhet e domosdoshme. Këtë qartësi të standardit hyjnor, që bën dallimin ndërmjet veprave të mira dhe atyre të liga, Muhamedi a.s., e vuri në spikamë kur në hadithin e transmetuar nga Selman el Farisiu r.a., tha: “Hallall – e ligjshme është ajo që Allahu e ka lejuar në Librin e Tij, haram- e paligjshme është ajo që Allahu e ka ndaluar në Librin e Tij, dhe ajo për të cilën Ai ka heshtur është nga ato që i ka falur (i ka lënë të lejuara).” (Et Taberani, El Mu’xhem el Kebir, nr. 6356). Ky hadith, lë të kuptohet se ekziston një bonton veprimesh, të cilat meqë nuk kanë ndonjë dëm ose dobi të theksuar për njeriun, kanë mbetur në dispozicionin e njeriut dhe Ligjvënësi ka hequr dorë nga përvijimi normativ i tyre.

Ndërkaq, përpjekjet që sot njerëzit bëjnë për ta rikonstruktuar të mirën, apo edhe të keqen, ndonëse mund të duken krejt të ‘çiltra’ dhe racionale, megjithatë, janë një tregues i një lloj rebelimi të krijesës njeri ndaj Krijuesit të vet. Ato janë gjithashtu edhe tentativë për ta kthyer çështjen në pikën fillestare të konfuzionit dhe dialektikës së pafundme, ku secili ka të drejtë të lejojë për vete çdo gjë apo të ndalojë çdo gjë.

Në akaidologjinë islame, ajo mund të cilësohet dhe përfshirje njerëzore në një ekskluzivitet që i përket vetëm hyjnores-Zotit. Është kështu sepse, në korpusin vleror islam, zbulesës hyjnore gjithmonë i është dhënë epërsi ligjvënëse mbi arsyen. Meqë personaliteti njerëzor nuk ka kapacitetet e mjaftueshme që të sjellë gjykime dhe vendime përfundimtare rreth shumë sjelljeve dhe veprimeve njerëzore, ai shpesh mund ta lajthisë njeriun. Që të mos tingëllojë kjo si një teori islame që ka për qëllim të spostojë mendjen e njeriut, duhet ditur se Islami nuk synon ta lejë atë të deaktivizuar prore; krejt çka kërkohet është të vendosen linjat hyjnore të standardizimit të veprimeve të njeriut, e pastaj në ato linja, dhe sigurisht brenda tyre, njeriu do ta kuptojë të mirën dhe të keqen dhe parametrat dallues në mes tyre.

E modernizmi si doktrinë, i dha një pozicion përfundimtar dhe dominant intelektit njerëzor dhe e paraqiti racionalitetin si një të vërtetë përfundimtare. Kjo doktrinë, megjithëse njeriut i ka premtuar një jetë të lumtur në “parajsën e kësaj jete” me kusht që të jetë pa limite morale, duket se po e shtynë vrullshëm shoqërinë drejt një kulture ku ngulfatet nevoja për ekzistencën dhe ruajtjen e vlerave morale. Kjo e bën jetën tejet fluide, dhe në të, gjithçka imagjinohet të bëhet e lejuar racionalisht. “Format e jetës moderne mund të ndryshojnë në disa aspekte, por ajo që i bashkon të gjitha është pikërisht brishtësia, përkohshmëria, cenueshmëria dhe prirja e tyre ndaj ndryshimit të vazhdueshëm. … Ajo që kam zgjedhur ta quajë modernitet i lëngshëm”, thoshte Zygmunt Bauman. Kjo prurje e vlerësuar si e çmuar nga modernistët, ku çdo vlerë e limit moral mbetet e përkohshme dhe e mundshme për ndryshim, në fakt shpie doemos te një anarkizëm moral, të cilin e admirojnë çmendurisht një pjesë e atyre që flasin çdoherë për të drejtën individuale dhe privatësinë personale.

Natyrshëm se Islami iu qëndron në antipod këtyre prirjeve dhe i fton njerëzit që të besojnë fuqishëm se burimi i së vërtetës përfundimtare është Allahu i Plotfuqishëm. Ai është i Gjithëdijshëm dhe përkufizimet e Tij për të mirën dhe të keqen janë rezistente ndaj furtunave ideologjike nëpër kohë, për një arsye të thjeshtë, ngase Dija e Tij është gjithëpërfshirëse, ndërkaq dituria e njeriut mbetet e mangët e relative.

“Ai e di atë që është para tyre dhe atë që është pas tyre, ndërsa ata nuk përfshijnë asgjë nga dija e Tij, përveç asaj që Ai do…” (El Bekare, 255).

Editorial

Dituria Islame 421

Prof. Driton Arifi