Për’puthen tregon se po bëhemi një mall

Pamjet në Tetovë, në pritje për audicionin e “Për’puthen”, para së gjithash, na treguan se sa unik dhe identik jemi ne këndej dhe ata matanë kufirit. Edhe nëse s’jemi bërë akoma me tamam, po bëhemi “ni mall”. Emisioni në fjalë, është vazhdimësi e snobizmit spektaluar i cili aq sa zbulon edhe projekton karakteret tona. Tregu gëlltitë gjithçka. Budallallëku është demokratik sepse bazohet mbi lirinë dhe të drejtën e përzgjedhjes. Prandaj, nuk kemi as të drejtën më të vogël, që t’i gjykojmë pjesëmarrësit dhe turmën e madhe që prisnin e ulërisnin në prag të audicionit. Nuk është as logjike e as e drejtë të gjykohet e kritikohet turma. Është si të gjuash në ajër, bosh. E vërteta është me individin dhe jo me turmën. Televizioni publik në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut është vonuar së tepërmi në realizimin e një agjende emancipuese publike, e për më tepër, ka dështuar politika në tërësi në lidhje me financimin dhe ngritjen e kapaciteteve në kuadër të këtij mediumi të rëndësishëm. “Për’puthen”, sipas përshkrimit të emisionit që i paskan bërë, na qënka mundësi për të kërkuar shansin për të gjetur dashurinë. Ç’lemeri! Ky emision është vrasës i dashurisë, intimitetit dhe shtresimeve palë-palë të mistereve të vetëzbulimit të dashurisë si ndjesi e vazhdueshme që e përcjellë njeriun deri në amshim. Pjesëmarrja në këtë shou është kumti publik për funeralin e trupave të pa jetë të cilët e vranë dashurinë për ta varrosur vetveten!

nga Latif Mustafa, Shkup