Përse Islami?

Në Islam është e pranueshme dhe e drejtë të bëhet pyetja: “Përse Islami?”. Çdo parim në Islam i nënshtrohet analizës dhe shqyrtimit. Asnjë fe tjetër nuk është e gatshme t’ia nënshtrojë kësaj pyetjeje parimeve bazë të besimit të saj. Për shembull shenjti Thomas Akuinas, teologu i krishterë më racional, e ndaloi përdorimin e arsyes, kur bëhej fjalë për parimet themelore të besimit të krishterë. Pastaj ai u përpoq të justifikojë besimin. Pra pyetja: “Përse Krishterimi?” nuk lejohet. Megjithatë Allahu e fton për të bërë pyetjen: “Përse Islami?”.

Islami është gjithashtu një sistem racional, që jo vetëm lejon bërjen e pyetjeve, por e ngre dijen në një nivel të ri dinjiteti dhe respekti. Asnjë fe tjetër nuk e ka lartësuar dijen dhe kërkimin e saj, aq sa Islami. Në fakt, për herë të parë në historinë e njeriut një libër fetar i ftoi njerëzit, të pyesnin për krijimin e universit dhe deklaroi, se në të (në univers) kishte shenja për njerëzit e dijes. Në Islam gjithçka i nënshtrohet kërkimit racional.

Islami ka ndaluar vetëm bërjen e pyetjes në lidhje me një gjë dhe kjo është diçka që arsyeja nuk mund ta trajtojë. Megjithatë kjo nuk nënkupton një qëndrim kundër-intelektual. Gjëja e vetme, për të cilën Islami ka deklaruar se nuk është brenda kapacitetit të mendjes së njeriut, është thelbi i qenies së Zotit. Njeriu nuk mund ta perceptojë asnjëherë këtë, sepse Ai, Allahu, është transcendent. Megjithatë vullneti, qëllimi, veprat, qëllimet dhe ndikimet e Tij mund të njihen.

Edhe ritet e Islamit mund të shqyrtohen në mënyrë racionale. Për shembull, shpjegimet logjike dhe racionale mund të bëhen për kohën e namazeve, numrin e rekatëve të namazit, madje edhe përse duhet të përthyejmë gishtat e këmbës gjatë namazit. Sigurisht myslimani është gjithmonë i vetëdijshëm, se përgjigja që ka marrë nga hetimi racional, nuk është i plotë. Ajo nuk mund të pranohet përfundimisht si shpjeguese e të gjitha fakteve. Ajo mund të jetë e gabuar ose e paplotë. Megjithatë Islami i nxit ndjekësit e tij të pyesin: “Përse Islami?”. Islami është një fe intelektuale dhe historike. Nuk ka sekrete dhe të fshehta, që nuk mund të kuptohen nga njeriu i zakonshëm.

Islami kuptohet më me lehtësi

Islami nuk paraqet pengesa për mendjen. Ai nuk bën pohime, të cilat e pushtojnë mendjen. Ai nuk i paraqet njeriut, atë që intelekti njerëzor nuk mund ta kuptojë. Të gjithë mund ta kuptojnë Islamin, sepse ai është një fe universale. Megjithatë, për shembull hinduizmi ligjëron idhujtarinë për më pak të edukuarit, sepse ashtu siç thotë ai, jo të gjithë njerëzit mund ta kuptojnë fenë e lartë të priftërinjve brahminë.

Mesazhi universal

Islami nuk e detyron njeriun të zgjedhë mes feve të ndryshme, sepse ai i ka përfshirë të gjitha mësimet thelbësore të të gjitha feve në mesazhin e tij universal. Koncepti islam është, se Allahu i dërgon çdo populli të dërguarin e Tij dhe se në fenë ose ideologjinë e tyre aktuale ata duhet të kenë ruajtur një pjesë të së vërtetës nga mësimet e tyre origjinale të asaj feje, që ishin sigurisht, mësimet e fesë së lashtë (din al-fitra) ose me fjalë të tjera, të Islamit.

Islami e konsideron dialogun ndërfetar si diskutim të brendshëm, jo si një diskutim me të jashtmit, sepse nga perspektiva e tij gjithë njerëzit janë anëtarë të një vëllazërie fetare universale. Prandaj ndryshimet që Islami i ka me fetë e tjera, konsiderohen si ndryshime të brendshme. Sigurisht, Islami i kritikon disa hebrenj dhe të krishterë, të cilët e kanë interpretuar gabimisht besimin e tyre, megjithatë kjo kritikë bazohet në faktin, se ata janë larguar nga mësimet origjinale të fesë së tyre.

Prandaj Islami ishte feja e parë në botë, që bëri thirrje për ekzaminimin kritik të teksteve fetare. Në të vërtetë myslimani u thotë feve të tjera: “Le të shqyrtojmë se bashku librat e shenjtë të feve tona, të krahasojmë përmbajtjet me mësimet origjinale të feve tona respektive dhe të analizojnë sa kemi zbatuar dhe sa jemi larguar nga mësimet origjinale”. Si rrjedhim myslimanët nuk i sulmojnë asnjëherë fetë e tjera.

Megjithatë, për besimtarin e fesë hindu, nëse ai nuk ka lindur në Indi, ai është i papastër; për hebrenjtë ligji i shenjtë u kushtohet vetëm atyre dhe për të krishterët nuk ka shpëtim jashtë kishës. Megjithatë Islami i pranon parimet morale personale dhe vlerat e Jezusit, konceptin e çlirimit të qenies njerëzore nga materializmi që gjendet tek hinduizmi, si dhe etikën praktike për harmoninë në shoqërinë njerëzore që gjendet tek konfucianizmi.

Toleranca fetare

Islami është tolerant në lidhje me fetë e tjera dhe i konsideron ato si të ligjëruara nga ana fetare, ose (sipas ligjit). Duke i pranuar fetë e tjera si të ligjshme, si rrjedhim Islami i pranon përkrahësit e tyre. Asnjë fe tjetër nuk u ka dhënë trajtim të barabartë feve të tjera, ashtu si ka bërë Islami për më shumë se 1400 vjet. Dihet se Judaizmi dhe katolicizmi romak ishin të paligjshëm në kohën e mbretëreshës Elizabeta I. Në Spanjë nën drejtimin e Ferdinandit dhe të Izabelës, ishte e paligjshme, që të kishe fe tjetër përveç katolicizmit dhe myslimanët e hebrenjtë duhet të zgjidhnin pagëzimin, dëbimin ose vdekjen. Në Lindjen e Mesme, disa sekte të krishtera, të cilat u asgjësuan brutalisht nga të krishterët në Evropë, kanë mbijetuar gjatë 14 shekujve të sundimit mysliman. Regjimet laike nuk e respektojnë fenë. Ata e përbuzin atë.

Toleranca e feve të tjera në Islam vjen nga respekti, sepse Islami thotë, se tek çdo njeri ka një fitra të pazhvilluar ose pastërti të mbjellë tek të gjitha qeniet njerëzore që në lindje dhe në çdo fe ka një lloj themelor të -s fillestare.

Pafajësia e qenies njerëzore

Islami deklaron se njeriu ka lindur i pastër. Njeriu nuk ka lindur i keq, por u krijua i mirë dhe u pajis me aftësi për të kryer detyrat e tij. Nga këndvështrimi islam, drama e jetës së njeriut është diçka që ndodh pas lindjes dhe jo më parë. Islami nuk e konsideron njeriun si degradim të hyjnores, por si një njeri me instinkte që janë të mira dhe të pastra.

Qenia njerëzore: një tërësi integrale

Islami nuk e ndan shpirtin dhe jetën e një njeriu në dy pjesë, domethënë në fetare ose etike dhe verbale ose materiale. Islami e konsideron njeriun si një tërësi integrale. Të gjitha veprimet dhe instinktet e tij janë pjesë e ekzistencës së tij bashkë me shpresën, frikën, sigurinë, besimin dhe bindjen.. Islami dëshiron, që të gjitha këto të lidhen natyrshëm dhe si rrjedhim mund të themi, se Islami është mishërimi i shëndetit mendor. Islami e konsideron punën e njeriut, madje dhe marrëdhëniet intime si veprim adhurimi.

Jeta e mbushur me qëllime dhe kuptim

Islami e merr seriozisht botën e jetës dhe të ekzistencës, duke deklaruar se ajo është plot kuptim dhe me qëllime. Jeta nuk është sport dhe as e paqëllimtë. Nga perspektiva islame, gjithçka ka kuptim, sepse koncepti i qëllimit të Zotit në krijim i jep kuptim jetës njerëzore. Myslimani nuk mërzitet asnjëherë nga jeta; në Islam nuk ka shqetësim ekzistencial. Myslimani mund të shohë tek gjithçka funksionimin e qëllimeve të mira të Krijuesit hyjnor. Myslimani jeton në një botë, ku jeta ka shumë kuptim dhe qëllime dhe kjo do të thotë, se myslimani nuk e humbet asnjëherë ekuilibrin e tij mendor. Në fakt sëmundja mendore është shumë e rrallë në komunitetin mysliman.

Botëpohues

Islami është pohues i botës. Për myslimanin bota është e mirë. Ajo është një bekim, ajo është krijuar e mirë, që të shijohet. Islami nuk e konsideron botën si djall, ajo nuk vlerësohet si satanike ose e keqe. Ajo nuk është një mbretëri e degraduar. Bota është mbretëria e vetme; bota tjetër nuk është mbretëri, por vetëm një vend gjykimi për veprimet e njeriut gjatë jetës së tij. Për myslimanët bota është një vend i bukur; perlat, veshjet dhe kuajt duhet të shijohen. Ajo që është e gabuar është keqpërdorimi i saj sipas ligjit moral. Bota është e mirë dhe myslimanët janë të detyruar ta kultivojnë dhe ta shndërrojnë atë në një kopsht. Procesi i organizimit të njerëzve si komunitet është detyrë fetare.

Asnjë teori, ideologji apo fe nuk krahasohet me qëndrimin e Islamit për botën. Të gjithë myslimanët duhet të jetë të pasur dhe të begatë. Shejtani premton varfërinë, jo Zoti. Faktikisht, Kurani i ka kritikuar ata, që u treguan dembelë dhe nuk arritën të shpërnguleshin, të cilët nuk arritën të ngriheshin me forcat e veta; ata e meritonin atë që morën. Të jesh mysliman, do të thotë të jetosh dhe të jesh besnik ndaj kësaj bote, por jo mbi dhe përtej besnikërisë ndaj Allahut.

Një besim social

Për ta ndërtuar këtë botë dhe për ta përshtatur atë sipas dëshirës së Zotit, myslimanët duhet të punojnë me njëri-tjetrin dhe jo të vetëm. Islami ka krijuar një rend social dhe jo një rend mistik. Rendi social i Islamit ka forcë që rregullohet nga ligji, ka sheriatin. Islami dëshiron të shpallë rendin social, për të urdhëruar për mirë dhe për të parandaluar të keqen. Megjithatë çdo mysliman duhet t’i korrigjojë gabimet. Kjo është detyra e tij, po ashtu si është detyra e tij, të falet pesë herë në ditë.

Në Islam zhytja në hapësirë dhe kohë dhe shndërrimi i botës sipas dëshirës së Zotit është prej shkallëve më të larta të besimit. Islami është veprimi pohues në një ambient social. Ai nuk është as abstrakt as izolues. Islami vendos drejtësinë dhe një shoqëri të rregullt, që drejtohet nga ligji. Islami siguron drejtësinë për të gjithë; Medina ka qenë klasë shembullore e shoqërisë. Ato ditë drejtësia nuk kishte çmim. Për shekuj me radhë nën sundimin islam, çdo qytetar, i cili kishte ndonjë problem, ishte i sigurt se drejtësia do të vihej në vend. Asnjë teori e shoqërisë nuk mund të japë aq shumë, sa i ka dhënë teoria islame shoqërisë. Shoqëritë, që bazohen tek raca, gjuha dhe historia, janë prototipa të botës shtazore, ku qeni ha qenin. Rendi social i Islamit i jep fund kësaj dhe sjell drejtësi për të gjithë. Misioni i myslimanit është, të sjellë rendin dhe kjo shoqëri ndërkombëtare e krijuar nga Islami duhet të përçohet tek bota. Si rrjedhim, rendi social islam kërkon universalitet.

Sistemi universal

Islami siguron një rend social, që priret të jetë jo vetëm universal, por duhet të bëhet universal. Sistemi islam është një sistem për rendin botëror dhe duhet të shpërndahet nëpër botë. Nëse nuk përhapet në botë, ai do të shndërrohet në një formë nacionalizmi, që është haram dhe e palejuar në Islam. Islami ndërtohet në bazë të vlerave, që janë jo vetëm për grupin i cili i mbështet, por për gjithë njerëzimin. Allahu është Zoti i gjithë njerëzve dhe koncepti islam i shoqërisë duhet të përhapet në gjithë botën.

A e mohon Islami vlerën e kulturës dhe identitetit kombëtar, etnik ose linguistik? Jo! Islami e pranon vlerën e këtyre grupeve kombëtare dhe etnike. Grupi ka një perspektivë të veçantë për vlerat, që ndikojnë tek jeta e njerëzve. Kultura kombëtare nxitet nga Islami, por i nënshtrohet ligjit universal të Allahut. Interesat e kombit ose të grupit duhet t’i nënshtrohen ligjit moral, sheriatit, që përfshin gjithë njerëzimin. Islami krijoi një shoqëri botërore dhe ishte ai, që 1400 vjet më parë, krijoi i pari një sistem pune të ligjit ndërkombëtar.

Vetëm në shekullin e XX perëndimi filloi ta zhvillojë ligjin ndërkombëtar. Në perëndim, ligji ndërkombëtar ekzistonte vetëm në imagjinatë, deri pas Luftës së I Botërore, kur u krijua Lidhja e Kombeve.

Sistemi aktual i ligjit ndërkombëtar është më inferior sesa sistemi islam i ligjit ndërkombëtar sepse, sipas sistemit islam, ligji i kombeve mbështetet nga gjykatat dhe jo nga një gjykatë e vetme në Hagë. Çdo gjykatë që zbaton sheriatin në çdo pjesë të botës, mund të dëgjojë një mosmarrëveshje ndërkombëtare, ku palët nuk janë vetëm kombet, por edhe individët. Nëse duam të zgjidhim problemet ndërkombëtare, ne duhet të bëjmë të mundur për këdo drejtësinë sipas ligjit ndërkombëtar.

Nxitja e harmonisë me mjedisin

Islami është fe, që na mundëson të jetojmë në harmoni me natyrën, veten tonë dhe Zotin. Islami nuk e ndan jetën e një njeriu, por e bashkon atë. Kjo është , e mira më e madhe e Islamit, sepse Islami na siguron lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër. Aktualisht njerëzit janë shumë të dhënë në ndjekje të kësaj bote, që ka rezultuar në shkatërrimin e ekologjisë së natyrës; kjo ndodh për shkak të shkatërrimit të natyrës së brendshme të qenieve njerëzore. Në këtë epokë të përparimeve të paprecedent në shkencë dhe në teknologji, ndjekja e të mirave të kësaj bote është bërë shkatërruese e vetvetes, sepse i mungojnë të gjitha vlerat etike. Si rrjedhim ndjekja e dynjasë (çështjeve të kësaj bote) pa mund të na shpjerë, ose na ka shpënë në shkatërrim. Nga ana tjetër, ndjekja e pa dynjanë është vetëm një ëndërrim. Islami u kërkon njerëzve, ta çojnë botën përpara pa vjedhje, kamatë, apo shkatërrim të mjedisit dhe këmbëngul, që njerëzit duhet t’i kryejnë detyrat e tyre sipas ligjit moral. Për myslimanin pjesëmarrja dhe suksesi në këtë botë do të sigurojë suksesin në botën tjetër. Islami është feja e vetme, që siguron lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër. Pasi Zoti i ka dhënë njerëzimit, çfarë mund të themi tjetër përveçse “Ne dëgjojmë dhe bindemi dhe të gjitha falënderimet janë për Allahun, Zotin e botëve”.