Përshëndetja e eurodeputetit bullgar shkakton skandal në Parlamentin Evropian

Angel Xhambazki

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, do të nisë procedurë disiplinore kundër deputetit nacionalist bullgar, i cili mesa duket bëri përshëndetje naziste kur u largua nga debati plenar mbi sundimin e ligjit mbrëmë vonë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Eurodeputeti Angel Xhambazki i grupit të krahut të djathtë të Konservatorëve Evropianë dhe Reformistëve tha se ngritja e krahut të tij të djathtë teksa dilte nga seanca plenare ishte “një shembull i nxjerrjes së diçkaje jashtë kontekstit” dhe zmadhimit të saj jashtë proporcionit.

“Nuk do të lejoj të njëlloset emri im”, shkroi ai në një postim në Twitter.

Megjithatë, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, aktin e tij e identifikoi si përshëndetje fashiste dhe tha se “është e papranueshme për mua, gjithmonë dhe kudo”.

“Ky gjest është nga kapitulli më i errët i historisë sonë dhe duhet të mbetet atje”, u shpreh ajo.

Një zyrtar i parlamentit, i cili kërkoi të mbetet anonim për shkak se hetimet rreth ngjarjes janë në vijim e sipër, tha se pritej të niste një hetim për shkeljen e rregullave. Metsola po kthehej nga Strasburgu për në Bruksel për të marrë pjesë në samitin BE-Afrikë.

Xhambazki ka të ngjarë të ftohet për shpjegim përpara se të diskutohen sanksionet. Dënimet e mundshme mund të përfshijnë sanksione financiare dhe pezullim nga procedurat parlamentare.

Incidenti ndodhi të mërkurën vonë në debatin rreth vendimit të gjykatës më të lartë të BE-së, e cila thotë se blloku 27-antarësh mund të pezullojë pagesat e mbështetjes për shtetet anëtare nëse ato shkelin parimet e sundimit të ligjit.

Qeveritë e krahut të djathtë të Hungarisë dhe Polonisë, të cilat kundërshtuan të drejtën e BE-së për ndërmarrjen e një veprimi të tillë, u përgjigjën duke argumentuar se rregullit i mungonte baza e duhur ligjore dhe do të ndërhynte rrënjësisht në drejtimin e tyre të biznesit kombëtar.

Xhambazki e quajti vendimin “të neveritshëm”. /aa