Personat që plagosen me armë tre të miturit në Prishtinë janë ende në arrati

Dy personat që dyshohet se kanë plagosur tre të mitur, mbrëmë në lagjen “Lakrishtë” në Prishtinë, janë ende në arrati.

Policia ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale tri gëzhoja të armës.

Ndërkohë, lidhur me këtë rast janë intervistuar pesë dëshmitarë.

Tre të miturit janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri, ku drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, mbrëmë ka bërë të ditur se njëri është në gjendje të rëndë e dy të tjerët më stabil.

“Janë të plagosur të tretë me armë zjarri. Njëri është në gjendje të rëndë, dy të tjerët janë në gjendje stabile. Janë duke u trajtuar në emergjencë, ku edhe janë kryer disa ekzaminime mjekësore. Pacienti që është në gjendje më të rëndë, është në përcjellje e sipër gjendje e tij shëndetësore”, deklaroi Syla.

Rasti në Policinë e Kosovës është iniciuar “Vrasje e rëndë në tentativë”.

“Rr. Bill Klinton, Prishtinë, 20.10.2023-18:44. Tre viktima meshkuj kosovarë -të mitur, janë duke u trajtuar në QKUK, pasi që të njëjtit janë qëlluar me armë zjarri nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale tri gëzhoja të armës, në lidhje me rastin janë intervistuar pesë dëshmitar, dy të dyshuarit gjenden në arrati, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në njoftim