Një njeriu, po i dridhej zëri në prezencë të Profetit (alejhi salatu ue selam), prandaj ai i tha: “Qetësohu, unë nuk jam mbret. Unë jam biri një gruaje që hante mish të tharë.” (Ibn Maxha, nr.3312)
Këto ishin fjalët dhe këshilla që i tha i dërguari i Allahut, vula e profetëve, mëshira e dërguar për botët, emri i të cilit lartësohet si asnjë njeri tjetër në botë, një njeriu të thjeshtë që erdhi të fliste me të, edhe pse ai ishte shumë më tepër se të gjithë mbretërit e kësaj bote.
Sigurisht që askush nuk duhet të sillet me arrogancë dhe mendjemadhësi me asnjë, as me një pushtetar apo një njeri me autoritet shtetëror, por respekti ndaj postit dhe pozitës së dikujt, nuk duhet të jetë servilizëm dhe as përulësi e shëmtuar, sidomos kur njerëz të veshur me pushtet kanë nivel të ulët intelektual apo janë njerëz të korruptuar.
Fakti që dikush ka pushtet, nuk do të thotë se ai është më i ditur, më i zgjuar, më i ndershëm, më fisnik e më i aftë se të tjerët, edhe pse në fakt duhet të jetë kështu. Realiteti i hidhur edhe këtu te ne, tregon se në mjaft raste janë mediokrit, injorantët, prepotentët e të korruptuarit, ata që na qeverisin dhe që nuk kanë asnjë virtyt sipëror që t’i dallojë nga shumica e njerëzve, përkundrazi.
Të pozosh me ta me dëshirë dhe ta reklamosh këtë si arritje, është sjellje inferiore dhe servilizëm i pështirë, duke kërkuar t’i japësh vetes një status social fals që nuk e ke. Të qëndrosh pranë pushtetarëve dhe të kesh hyrje-dalje me ta, nuk të bën aspak edhe ty pushtetar dhe nuk ta rrit autoritetin dhe pozitën në shoqëri, por thjesht të zbulon ndjenjën e inferioritetit që ke ndaj tyre dhe nevojën e brendshme të jesh dikush.
Njerëz të tillë ka edhe në mesin tonë, dhe ata i ngjajnë rrodhes që mburret se ka bërë kilometra të tërë, ndërkohë që thjesht i qe ngjitur për bishti deles që ecte. Në këtë rast, më kujtohet një batutë që e përdornim dikur shpesh, kur ishim të vegjël, për dikë që mburrej se babai i punonte p.sh. në kryeministri, por kur e pyesnin se çfarë pune bënte aty, ai përgjigjej: kaldajist!
Nëse para të dërguarit të Krijuesit të botëve, që meriton respektin dhe përulësinë më të madhe ndaj një njeriu, askush nuk duhet të kompleksohej, kush mund të jenë të tjerët, që nesër kur të largohen nga posti, nuk ua hedh më sytë njeri?! Dinjiteti dhe autoriteti i një njeriu vendoset nga vetë ai, nga ajo që bën dhe nga arritjet personale, dhe jo nga miqësitë apo hyrje-daljet dhe kontaktet që ka me pushtetarët.
I Dërguari i Allahut ka thënë: “Atë që e lë pas vepra e tij, prejardhja e tij nuk do ta nxjerrë në krye.” (Muslimi, nr.2699)
Nëse as prejardhja nuk e bën këtë gjë, atëherë s’ka si ta bëjë servilizmi, që është e vetmja “arritje” e inferiorit.
Hoxhë Justinian Topulli








