Nëse nuk ndalet shpejt, kjo luftë drejt një të Trete Botërore
Nga Jeffrey D. Sachs dhe Sybil Fares
Lufta Izrael–SHBA kundër Iranit po përfshin gjithnjë e më shumë Lindjen e Mesme dhe bart potencial real për t’u shndërruar në një luftë globale. Pasojat ekonomike janë tashmë të rënda dhe mund të marrin përmasa katastrofike. Në Ngushticën e Hormuzit kalon rreth një e pesta e naftës së tregtuar në botë dhe afro 30% e gazit natyror të lëngshëm (LNG). Një mbyllje e zgjatur e saj do të shkaktonte një tronditje energjetike pa precedent në historinë moderne.
Rreziku i daljes së konfliktit jashtë kontrollit është real pasi SHBA-ja dhe Izraeli synojnë të vendosin një hegjemoni të plotë në botën arabe dhe në Azinë Perëndimore – një projekt që ndërthur zgjerimin territorial të Izraelit me kontrollin politik të rajonit përmes regjimeve të mbështetura nga Uashingtoni. Në thelb, synohet krijimi i “Izraelit të Madh”, që përfshin të gjithë Palestinën historike, krahas një rendi rajonal ku shtetet arabe dhe islame mbeten formalisht sovrane, por realisht të varura – madje edhe në vendimet mbi eksportin e burimeve të tyre energjetike.
Kjo qasje është e shkëputur nga realiteti. Asnjë vend në rajon nuk e pranon një Izrael që vepron pa kontroll, duke vrarë civilë, duke shkatërruar Gazën dhe Bregun Perëndimor, duke ndërhyrë ushtarakisht në Liban, duke goditur Irakun dhe Jemenin, apo duke bombarduar Teheranin. Po ashtu, asnjë shtet nuk pranon që eksportet e tij të hidrokarbureve të bien nën kontroll efektiv amerikan. Kjo luftë do të marrë fund vetëm nëse reagimi i fortë global ndaj agresionit amerikan dhe izraelit i detyron këto vende të ndalen. Në të kundërt, rrezikojmë të shohim një Lindje të Mesme në flakë dhe një botë të zhytur në një krizë energjetike dhe ekonomike pa precedent në historinë moderne. Në skenarin më të keq, konflikti mund të përshkallëzohet në një përplasje globale – praktikisht në një Luftë të Tretë Botërore.
Megjithatë, ekziston një rrugëdalje. Lufta mund të ndalet mbi baza racionale, nëse komuniteti ndërkombëtar arrin të ushtrojë presion të vendosur mbi SHBA-në dhe Izraelin. Një zgjidhje e qëndrueshme kërkon një paketë masash të ndërlidhura, që garantojnë siguri për të gjitha palët – dhe për vetë rendin global. Irani ka nevojë për fundin e agresionit SHBA-Izrael. Vendet e Gjirit kërkojnë ndalimin e sulmeve hakmarrëse të Iranit. Palestinezët kanë nevojë të kenë një shtet të pavarur. Izraeli kërkon siguri afatgjatë dhe çarmatimin e Hamasit e Hezbollahut. Mbarë bota ka nevojë për hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe për një monitorim ndërkombëtar të programit bërthamor të Iranit, që të garantohet respektimi i Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore — ashtu si vetë Irani pohon se synon të bëjë. Në fund të fundit, çdo vend kërkon, ose duhet të kërkojë, sovranitet të vërtetë për veten dhe rajonin e tij.
Siguria kolektive mund të arrihet përmes pesë masave të ndërlidhura. Së pari, SHBA-ja dhe Izraeli duhet të ndërpresin menjëherë agresionin e tyre të armatosur në të gjithë rajonin dhe të tërheqin forcat ushtarake. Së dyti, Irani do të ndalonte sulmet e tij hakmarrëse ndaj vendeve të Gjirit dhe do t’i nënshtrohej sërish mbikëqyrjes së Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), sipas një versioni të rishikuar të marrëveshjes bërthamore (JCPOA), të cilën Presidenti Trump e braktisi në mënyrë të papërgjegjshme në vitin 2018. Së treti, Ngushtica e Hormuzit do të rihapej përmes një marrëveshjeje të ndërsjellë mes Iranit dhe vendeve të Gjirit. Së katërti, zgjidhja me dy shtete do të implementohej pa vonesë, duke e pranuar Palestinën si anëtare me të drejta të plota në OKB. Izraelit do t’i kërkohej t’i jepte fund pushtimit të Bregut Perëndimor e Jeruzalemit Lindor, si dhe të tërhiqte trupat e tij nga Libani dhe Siria. Së pesti, njohja e Shtetit të Palestinës nga OKB-ja do të hidhte themelet për një çarmatim gjithëpërfshirës rajonal të të gjithë aktorëve joshtetërorë, proces ky i verifikuar nën monitorim ndërkombëtar. Rezultati përfundimtar do të ishte rikthimi tek e drejta ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së.
Kush do të fitonte nga ky plan? Popujt e rajonit — ata të Izraelit, Palestinës, Libanit, Sirisë, Irakut, Iranit — dhe mbarë bota. Kush do të humbiste? Vetëm arkitektët e “Izraelit të Madh”, të udhëhequr nga Benjamin Netanyahu, Itamar Ben-Gvir, Bezalel Smotrich dhe Mike Huckabee, të cilët e kanë sjellë botën në buzë të greminës.
Këto janë pesë hapat në mënyrë më të detajuar:
Së pari: Fundi i agresionit të armatosur SHBA-Izrael
Izraeli dhe SHBA-ja duhet të ndalin agresionin dhe të tërheqin forcat e tyre. Si kundërpërgjigje, Irani do të ndërpiste sulmet hakmarrëse. Ky nuk do të ishte thjesht një armëpushim i radhës, por hapi i parë drejt një marrëveshjeje të përgjithshme paqeje dhe sigurisë kolektive.
Së dyti: Rikthimi te marrëveshja JCPOA
Çështja bërthamore duhet të zgjidhet përmes një monitorimi strikt nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, dhe jo përmes fushatave të bombardimeve që thjesht e detyrojnë Iranin ta zhvendosë uraniumin e pasuruar jashtë rrezes së vëzhgimit ndërkombëtar. Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të rikthejë menjëherë kornizën bazë të Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) të vitit 2015. Sipas këtij plani, Irani duhet t’i përmbahet me përpikëri monitorimit dhe limiteve të rënë dakord për programin e tij bërthamor, ndërsa në këmbim do të hiqen sanksionet ekonomike ndaj tij.
Së treti: Rihapja e Ngushticës së Hormuzit në kornizën Iran-GCC
Ngushtica e Hormuzit do të rihapej me shpejtësi, me kalim të sigurt të garantuar bashkërisht nga Irani dhe vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC). Këto vende do të ushtronin sovranitet të plotë mbi bazat ushtarake në territoret e tyre, për të garantuar që ato të mos shërbejnë më si platforma nisjeje për sulme të reja ofensive kundër Iranit.
Së katërti: Zgjidhja me dy shtete
Zgjidhja me dy shtete do të implementohej përmes pranimit të Palestinës në OKB si shteti i 194-t anëtar me të drejta të plota. Kjo kërkon vetëm një gjë: që SHBA-ja të heqë dorë nga vetoja e saj. Shtetësia palestineze është në harmoni të plotë me ligjin ndërkombëtar dhe Iniciativën Arabe të Paqes, e cila qëndron mbi tavolinë që nga viti 2002. Si rrjedhojë, vendet e rajonit do të vendosnin marrëdhënie diplomatike me Izraelin, ndërsa Këshilli i Sigurimit do të dërgonte forca paqeruajtëse për të garantuar sigurinë e të dy shteteve.
Së pesti: Fundi i armiqësive të armatosura
Në sinkron me zgjidhjen me dy shtete, çdo formë armiqësie e armatosur në rajon do të merrte fund menjëherë, duke përfshirë çarmatimin e Hamasit, Hezbollahut dhe grupeve të tjera joshtetërore. Në rastin e Palestinës, çarmatimi i Hamasit do të përforconte autoritetin e shtetit palestinez. Në rastin e Libanit, çarmatimi i Hezbollahut do të rikthente sovranitetin e plotë të vendit, duke lënë Forcat e Armatosura Libaneze si të vetmen autoritet ushtarak. Ky çarmatim do të verifikohej nga vëzhgues ndërkombëtarë dhe do të garantohej nga Këshilli i Sigurimit.
Pika thelbësore është se lufta Izrael-SHBA kundër Iranit nuk ka lindur në vakum. Strategjia “Clean Break”, e hartuar nga Netanyahu dhe mbështetësit e tij neokonservatorë amerikanë në vitin 1996, synon vendosjen e hegjemonisë izraelite në rajon përmes luftërave për ndryshimin e regjimeve, me SHBA-në si partner ekzekutues. Siç dëshmoi ish-Komandanti Suprem i NATO-s, Wesley Clark, pas 11 shtatorit, SHBA-ja kishte projektuar plane para një çerekshekulli për të përmbysur qeveritë në shtatë vende: “duke filluar me Irakun, pastaj Sirinë, Libanin, Libinë, Somalinë, Sudanin dhe, në fund, Iranin”. Pra, ne po përjetojmë pikëm kulminante të një plani të kahershëm për të dominuar botën arabe dhe Azinë Perëndimore, për të krijuar “Izraelin e Madh” dhe për të bllokuar përgjithmonë shtetësinë palestineze.
Nuk jemi optimistë për gjasat e realizimit të këtij plani. Qeveria izraelite është e pamëshirshme dhe Trump-i ushqen iluzione mbi fuqinë amerikane. Ndoshta jemi tashmë në hapat e para të Luftës së Tretë Botërore. Megjithatë, pikërisht sepse rreziku është kaq i lartë, vlen të skicohen zgjidhje reale, edhe nëse ato duken të pamundura. Sidoqoftë, besojmë se bota joperëndimore – ajo pjesë që nuk sillet si vasale e fuqisë amerikane – e kupton mjaft mirë urgjencën e paqes dhe sigurisë.
Kush mund ta udhëheqë atëherë një plan paqeje që SHBA-ja dhe Izraeli do ta kundërshtojnë me çdo mjet, derisa pesha e opozitës globale dhe katastrofa ekonomike t’i detyrojë ta pranojnë?
Ekziston një grupim kryesor: vendet BRICS-it.
Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut dhe anëtarët e rinj, ku bëjnë pjesë Emiratet e Bashkuara Arabe, Irani, Egjipti, Etiopia dhe Indonezia, përfaqësojnë pothuajse gjysmën e popullsisë së globit dhe mbi 40 për qind të PBB-së botërore (krahasuar me 28 për qind të G7-ës). BRICS-i ka autoritetin, peshën ekonomike dhe mungesën e bashkëfajësisë historike në imperializmin e Lindjes së Mesme për ta kthjelluar botën. BRICS-i duhet të thërrasë një samit urgjent dhe të prezantojë një kornizë të unifikuar me kushtet e paqes, e cila më pas do t’i prezantohej me forcë Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Aty, opinioni botëror do t’i kërkonte SHBA-së dhe Izraelit të ndalnin marshimin drejt katastrofës dhe do t’u kujtonte të gjitha vendeve detyrimin për t’iu përmbajtur Kartës së OKB-së. /Tesheshi.com/
Rreth Autorëve:
Jeffrey D. Sachs është ekonomist i njohur amerikan dhe një nga figurat më të spikatura në fushën e zhvillimit ekonomik dhe politikave globale. Ai është profesor në Columbia University dhe drejtor i Qendrës për Zhvillim të Qëndrueshëm në të njëjtin institucion. Sachs ka shërbyer si këshilltar për disa qeveri dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë United Nations, ku ka qenë një zë kyç në promovimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs). Sachs është gjithashtu autor i shumë librave dhe artikujve mbi ekonominë globale, gjeopolitikën dhe zhvillimin e qëndrueshëm, dhe shpesh kontribuon në media ndërkombëtare si komentator për çështje globale.
Sybil Fares është studiuese dhe analiste e politikave ndërkombëtare, me fokus në çështjet e Lindjes së Mesme, gjeopolitikën dhe sigurinë ndërkombëtare. Ajo është e lidhur me kërkimin akademik dhe analizën strategjike, duke kontribuar në studime dhe publikime mbi konfliktet rajonale dhe arkitekturën e sigurisë globale. Fares njihet për qasjen e saj analitike ndaj krizave ndërkombëtare dhe për përpjekjet për të propozuar zgjidhje diplomatike dhe shumëpalëshe në kontekste të tensionuara gjeopolitike.
https://www.commondreams.org/opinion/how-to-end-the-iran-war








