Nga Koreja tek Arabia, ndryshimi i qasjes i nxitur nga zhvillimet e viteve të fundit
Ndërsa balanca e sigurisë ndërkombëtare po ndryshon, disa shtete po përmenden gjithnjë e më shpesh si kandidatët më të mundshëm për t’iu bashkuar vendeve që zotërojnë armë bërthamore.
Edhe pse Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) vazhdon të mbetet baza e regjimit global të kontrollit të armëve, ekspertët vlerësojnë se disa vende kanë kapacitetet teknologjike, industriale ose motivimet strategjike për të zhvilluar një arsenal bërthamor nëse rrethanat do ta kërkonin.
Koreja e Jugut
Konsiderohet një nga vendet me potencialin më të madh teknik për të zhvilluar armë bërthamore. Ajo zotëron një industri të avancuar bërthamore civile, ekspertizë shkencore dhe infrastrukturë që teorikisht mund të përshtatet për një program ushtarak.
Mbështetja e opinionit publik për një arsenal kombëtar ka mbetur e lartë prej vitesh. Megjithatë, zhvillimi i armëve bërthamore do ta detyronte Seulin të largohej nga NPT-ja dhe do të kishte pasoja të rëndësishme diplomatike dhe ekonomike.
Ekspertët vlerësojnë se skenari më realist është që Koreja e Jugut të vazhdojë të zhvillojë kapacitetet e saj bërthamore civile, duke ruajtur mundësinë teknike për një program ushtarak nëse mjedisi i sigurisë do të ndryshonte ndjeshëm.
Polonia
Presidenti Karol Nawrocki ka deklaruar se vendi duhet të shqyrtojë zhvillimin e një projekti bërthamor në përputhje me rregullat ndërkombëtare, ndërsa edhe kryeministri Donald Tusk ka shprehur nevojën për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse.
Sipas studiuesve polakë, diskutimi është ende në fazat e hershme dhe vendi s’ka infrastrukturën e nevojshme për një program ushtarak. Prioritet mbetet ndërtimi i industrisë së energjisë bërthamore, e cila mund të krijojë bazën teknologjike për zhvillime të ardhshme.
Analistët theksojnë se çdo vendim për armë bërthamore do të kërkonte mbështetje të gjerë politike dhe do të kishte ndikim në marrëdhëniet e Polonisë me aleatët e saj.
Irani
Vazhdon të jetë vendi më i afërt me statusin e një fuqie bërthamore pa e kaluar zyrtarisht këtë prag. Ai zotëron rezerva uraniumi të pasuruar në nivele të larta dhe ka një program bërthamor që prej vitesh monitorohet nga komuniteti ndërkombëtar.
Pas sulmeve ndaj disa objekteve bërthamore, imazhet satelitore kanë treguar përpjekje për rindërtimin e tyre. Megjithatë, Irani nuk është tërhequr nga Traktati i Mospërhapjes dhe vazhdon të deklarojë se programi i tij ka karakter paqësor.
Sipas ekspertëve, strategjia më e mundshme është ruajtja e një “kapaciteti në prag”, që i lejon vendit të zotërojë njohuritë dhe materialet e nevojshme pa ndërtuar domosdoshmërisht një armë operative.
Turqia
Turqia ka investuar ndjeshëm vitet e fundit në industrinë e mbrojtjes dhe ka zgjeruar kapacitetet e saj ushtarake. Prezantimi i raketës së parë balistike ndërkontinentale të prodhuar në vend dhe zhvillimi i industrisë vendase, e kanë rritur interesin për potencialin e saj strategjik.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar më parë se nuk e konsideron të drejtë që disa vende të kenë armë bërthamore, ndërsa të tjerat jo. Edhe ministri i Jashtëm Hakan Fidan ka lënë të kuptohet se zhvillimet rajonale mund ta detyrojnë Turqinë të rishqyrtojë pozicionin e saj.
Arabia Saudite
Arabia Saudite ka deklaruar prej vitesh se do të shqyrtonte zhvillimin e armëve bërthamore nëse Irani do të ndërtonte një arsenal të tillë. Paralelisht, mbretëria po investon në energjinë bërthamore civile si pjesë e strategjisë për modernizimin e ekonomisë.
Një marrëveshje e partneritetit me Shtetet e Bashkuara përfshin bashkëpunim afatgjatë në fushën e energjisë bërthamore, duke krijuar mundësi për zhvillimin e kapaciteteve teknike vendase. Analistët vlerësojnë se këto investime i japin Riadit fleksibilitet strategjik, ndërsa zyrtarisht mbetet brenda angazhimeve të NPT-së.
Ekspertët theksojnë se programi civil mund të shërbejë si bazë teknologjike për të ardhmen, por nuk ka prova se Arabia Saudite ka nisur një program për prodhimin e armëve bërthamore. /tesheshi



