Pishina më e thellë me ujë termal ndodhet në Itali

Kinematografia, interes për të xhiruar skena filmash për Festivalin e Venecias

Një laborator i vërtetë mjekësor dhe astrofizike, pishina më e thellë në botë me ujë termal së shpejti do të behet protagoniste e festivalit të parë të filmave me kortometrazh nënujor. Dhe fituesi do të prezantohet me filmin me metrazh të shkurtër edhe në festivalin e filmit në Venezia, një ndër festivalet më prestigjioze në fushën e kinematografisë.

Gjatë vitit të fundit, mbi 12 trupa televizive dhe kinematografike kanë zhvilluar filmime dhe video të shkurtra që kanë patur sukses të madh dhe së fundmi kampionia italiane e “Apneas”, Ilaria Molinari është zhytur në thellësitë e impiantit, pasi u transformua në një krijesë detare nga një “bodypainter”, me një rezultat sugjestionues.

“Y-40 Deep Joy” ndodhet në një provincë të Padovas në Itali dhe ka një thellësi mbi 40 m, është i vetmi impiant në botë që është plotësisht me ujë termal me temperaturë stabël 33 gradë Celcius. Ka një kapacitet prej 4300 m3 ujë dhe pastërtia, presioni, përbërja kimike dhe të gjithë parametrat monitorohen nëpërmjet 65 sensorëve që kontrollohen nga një sistem komputerik qëndror. Për t’u mbushur, duhen 9 ditë dhe për ta zbrazur duhen plot 60 ditë. Është inauguruar në vitin 2014 dhe në nivel botëror për thellësi renditet e treta, pas “Deep Dive Dubai” dhe “Deepspot” në Varshavë.