Pispili me spinaq dhe qepë të njoma

Pispilia është padyshim ndër gatimet më speciale në kuzhinën shqiptare. E përgatitur me kombinime të ndryshme mbushjesh, shija e saj në të gjitha variantet mbetet e papërshkrueshme.

PËRBËRËSIT: 500 g spinaq, 3 qepë të njoma, 200 g djathë i bardhë, 100 ml vaj ulliri, 1 gotë miell misri, 1 gotë qumesht, 2 kokrra vezë, kripë, piper, majdanoz dhe kopër.

PËRGATITJA: Pasi e lajmë spinaqin, e grijmë dhe e shtypim me dorë sa t’i bjerë vëllimi. Spinaqin e shtrydhim sa t’i dalë uji i tepërt dhe e hedhim në një tas. Shtojmë vezët, qepën, djathin, gjysmën e qumështit, vajin, kripën, piperin, majdanozin dhe koprën. I trazojmë mirë dhe në fund shtojmë tre lugë gjelle miell misri. I trazojmë përsëri. Shtoni dhe vaj, këtë e shikoni dhe vetë. E shtrojmë në tavë të lyer me vaj dhe të pudrosur mirë me miell misri. E shtrijmë me lugë dhe sipër masës hedhim përsëri miell misri dhe qumësht për ta njomur sipërfaqen. E spërkasim me vaj ulliri dhe e pjekim në 220 gradë për 30 minuta. E shoqërojmë me kos, dhallë ose kunguj me kos. Ju bëftë mirë!

Kjo recetë u përgatit nga Kuzhina e shijes