Pjesëtarët e Kërkim-Shpëtimit dekorohen me medaljen “Shërbim vetëmohues”

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka dekoruar me medaljen ‘Shërbim Vetëmohues’ pjesëtarët e Task Forcës së Kërkim-Shpëtimit.

Ai me këtë rast tha se qëllimi i gjithë kësaj ceremonia është respekti për punën tuaj, për angazhimin që keni bërë në vazhdimësi për kërkimin dhe shpëtimin e jetëve të njerëzve ku do që është kërkuar.

“Ju përgëzoj për punën dhe angazhimin. E di se në çfarë kushtesh veproni dhe çfarë rrezikshmërie keni në punën tuaj. Kam qenë vetë prezent në kërkimin e dy policëve të aksidentuar. Po ashtu, kërkimi dhe gjetja e viktimës vikendin e kaluar tregon për punën dhe angazhimin serioz që jeni duke bërë. Shpresoj që kurrë mos të kemi thirrje për angazhimin tuaj, se e di sa e vështirë është të gjesh dhe të tërheqësh një viktimë, por ju e keni treguar me punën tuaj se jeni të gatshëm dhe të përgatitur për çdo situatë”, tha gjeneral Rama.

Ndryshe, pjesëtarët e Kërkim–Shpëtimit të FSK-së janë në vazhdimësi të angazhuar në operacione reale dhe të gjitha operacionet i kanë përfunduar me sukses siç janë për shembull kërkimi në lumin Sitnica, në aksin Kaçanik-Hani i Elezit, si dhe kërkimi në rrjedhën e Drinit të Bardhë në komunën e Pejës