Tucker Carlson trondit me denoncimin e tij, Trump e përjashton nga “MAGA”
Komentatori i njohur konservator amerikan, Tucker Carlson, ka shkaktuar një stuhi reagimesh ndërkombëtare me pretendimet e tij të fundit lidhur me motivet e vërteta të luftës së Izraelit dhe përfshirjen e SHBA-së në konfliktin me Iranin.
Në episodin e fundit të podcast-it të tij, Carlson hodhi hije dyshimi mbi qëllimet ushtarake të Tel Avivit, duke sugjeruar se prapa sulmeve fshihet një agjendë fetare radikale. Sipas Carlson, qëllimi final i lëvizjeve të caktuara brenda Izraelit, të mbështetura nga rrjeti “Chabad”, është shkatërrimi i Xhamisë Al-Aksa në Jerusalem për të hapur rrugën rindërtimit të “Tempullit të Tretë”.
Gazetari u ndal te fotografitë e ushtarëve izraelitë që mbajnë simbole të “Beis Hamikdosh” (Tempullit), duke pyetur publikisht: “Çfarë po ndodh këtu? Kur sheh ushtarë me simbole të një tempulli që nuk ekziston prej mijëra vjetësh, është e arsyeshme të dyshosh për motivime që shkojnë përtej mbrojtjes së kufijve”.
Ky qëndrim ka sjellë një krisje të madhe me presidentin Donald Trump. Ndërsa administrata Trump po promovon “Operacionin Epic Fury” kundër Iranit si një domosdoshmëri për sigurinë kombëtare, Carlson e ka quajtur vendimin për sulm si “absolutisht të neveritshëm dhe të lig”.
Ai argumentoi prerë se kjo është lufta e Izraelit dhe nuk u shërben interesave të popullit amerikan. Reagimi i Trump ka qenë i menjëhershëm dhe i ashpër. Presidenti e ka përjashtuar zyrtarisht Carlson-in nga rrethi i tij “MAGA” (Make America Great Again), duke deklaruar se gazetari “e ka humbur rrugën”.
“Tucker nuk është MAGA. Ai nuk është aq i zgjuar sa ta kuptojë se ‘Amerika e Para’ do të thotë të jesh fuqia më e madhe në botë”- tha Trump. Ndërkohë, aleatët e Trump, si Laura Loomer, e kanë cilësuar Carlson-in si “tradhtar” që po ndërhyn në favor të regjimit iranian.
Megjithatë, sondazhet e fundit tregojnë se Carlson nuk është i vetëm në dyshimet e tij. Mbi 54 për qind e votuesve amerikanë nuk e miratojnë mënyrën se si po trajtohet situata me Iranin, duke kërkuar që prioritet të mbetet shmangia e luftërave të reja në Lindjen e Mesme. /tesheshi





