A po e kontrollon Mali i Zi vijën kufitare deri në Çakorr?

Deputeti i Vetëvendosjes Visar Ymeri ka kërkuar sqarime nga ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli lidhur me fillimin e kontrollimit të vijës kufitare deri në Çakorr nga autoritetet malazeze, ose implementimit të njëanshëm të marrëveshjes për Demarkacionin derisa Kosova ende nuk e ka ratifikuar atë.

Mirëpo Pacolli këtë e ka mohuar duke thënë se kjo mund të jetë lajm i rrejshëm nga mediat. Ai shtoi se detyra e tij është që të mbrojë shtetin e Kosovës dhe institucionet e shtetit deri atëherë kur është interesi i Kosovës, raporton KP.

Ndërsa deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, ka kërkuar nga Qeveria të jetë më transparente për Demarkacionin dhe dialogun me Serbinë.

Pacolli ka thënë se pret që dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë në vitin e ardhshëm, për çka Visar Ymeri ka shprehur habinë si mund të përmbyllet një dialog pa qenë edhe transparent para qytetarëve, ose në Parlament.