Policia në Kashmirin e administruar nga India ka thirrur të paktën tre gazetarë dhe u ka kërkuar të nënshkruajnë një deklaratë ku zotohen se nuk do të “prishin paqen” në rajon, pas raportimeve mbi mbledhjen e të dhënave për xhamitë.
Dy prej gazetarëve e kanë konfirmuar rastin, ndërsa një i tretë, ndihmës-redaktor në gazetën The Indian Express, është thirrur në një stacion policie në Srinagar, kryeqytetin e territorit të kontestuar, por ka refuzuar të nënshkruajë deklaratën.
Sipas The Indian Express, thirrjet erdhën pasi mediat raportuan se policia po kërkonte informacion nga xhamitë për burimet e financimit, menaxhimin dhe buxhetet e tyre. Edhe TRT World raportoi për këtë çështje, me gazetarët e saj në Srinagar që shkruan në mënyrë anonime nga frika e ndjekjes dhe persekutimit.
Pas heqjes së autonomisë kushtetuese të Kashmirit në vitin 2019, autoritetet indiane kanë vendosur kufizime të shumta në rajonin me shumicë myslimane, përfshirë rregulla të rrepta mbi mënyrën e raportimit mediatik.
Gazeta The Indian Express njoftoi se gazetari i saj ishte thirrur katër herë midis 15 dhe 19 janarit dhe i ishte kërkuar të nënshkruante deklaratën më 16 janar. Kryeredaktori i gazetës, Raj Kamal Jha, tha se gazetari nuk e ka nënshkruar dokumentin dhe se gazeta mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të gazetarëve të saj.
Klubi i Shtypit i Kashmirit deklaroi se disa gazetarë janë thirrur ose janë paralajmëruar nga policia që të ndalojnë raportimin për profilizimin e institucioneve fetare. Organizata ndërkombëtare për lirinë e medias kanë dënuar këto veprime, duke i cilësuar si pjesë e një modeli intimidimi ndaj mediave në Jammu dhe Kashmir.
Kashmiri mbetet një zonë e tensionuar prej dekadash, e kontestuar mes Indisë dhe Pakistanit. Që nga viti 1989, grupe kryengritëse kanë luftuar kundër pranisë së madhe ushtarake indiane, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut akuzojnë Indinë për shtypje të lëvizjes për vetëvendosje në rajon. /mesazhi








