Policia jep detaje për shpërthimin e mbrëmshëm në objektin e komunës së Mitrovicës së Veriut

Në orët e vona të mbrëmjes të së hënës, persona të dyshuar kanë sulmuar me mjet shpërthyes komunën në Mitrovicë të Veriut.

Drejtori i Zyrës për Informim në Policinë e Kosovës, Baki Kelani bën të ditur për teve1.info se dyshohet se mjeti shpërthyes ka qenë granatë dore, përcjell teve1.info

Sipas Kelanit, lëndime në njerëz nuk ka, teksa dëme materiale janë shkaktuar në dy vetura.

“Me datën 26.06.2023, në orët e vona të mbrëmjes nga person/a të dyshuar është sulmuar me mjet shpërthyes Komuna në Veri të Mitrovicës. Bazuar në informatat zyrtare dyshohet se në oborrin e objektit komunal në Mitrovicë Veri, afër hyrjes së objektit është hedhur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të ketë qenë granatë dore, me ç’rast ka shkaktuar disa dëme materiale në veturat zyrtare. Fatmirësisht nuk raportohet për lëndime në njerëz, përveçç dëmeve materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare të policisë”, theksoi ai.

Kelani potencoi se “në konsultim me prokurorin kompetent është inciuar rasti ‘kryerja e veprës terroriste’”.

Ai shtoi se “Policia e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet në ofrim të sigurisë dhe parandalim të akteve të tilla kriminale ndaj zyrtarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”.