Të paktën 14 persona janë vrarë në sulmet e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në shtetet Darfurin Lindor dhe Kordofanin Perëndimor të Sudanit, njoftoi sot një organizatë sudaneze për të drejtat e njeriut, transmeton Anadolu.
Numri i të vrarëve ishte 12 në Darfurin Lindor dhe dy në Kordofanin Perëndimor.
“Për tri ditë radhazi, fshatrat Sharm, Muhajiriya, Kasib, Sali’a, Kala’it dhe fshatra të tjera në lokalitetin Yassin, në shtetin e Darfurit Lindor, u janë nënshtruar sulmeve sistematike të kryera nga RSF-ja”, thuhet në një deklaratë të Observatorit Sudanez për të Drejtat e Njeriut, të publikuar në platformën amerikane të mediave sociale X.
Në një deklaratë të publikuar më herët gjatë ditës, organizata për të drejtat e njeriut tha se RSF-ja kishte ndërmarrë fushata “hakmarrëse” kundër banorëve të fshatrave në shtetin e Kordofanit Perëndimor për afro pesë ditë.
Sipas deklaratës, këto sulme përfshinin vrasjen e civilëve, sulme fizike, frikësim dhe plaçkitje duke shkaktuar valë zhvendosjeje të popullsisë. “Është dokumentuar vrasja e dy të rinjve në fshatrat Al-Sa’ata Al-Zarqa dhe Al-Sa’ata Um Al-Khabar”, thuhet në deklaratë.
Organizata u bëri thirrje të gjitha organizatave humanitare që të krijojnë mekanizëm emergjent për ndihmën e familjeve të zhvendosura, të hapin korridore të sigurta për kalimin e tyre dhe të mbështesin nismat lokale që po përpiqen të plotësojnë boshllëkun e krijuar nga dështimi i organizatave, pavarësisht burimeve të tyre të kufizuara dhe të pakta.
RSF-ja nuk ka reaguar ndaj asnjërës prej deklaratave.
Luftimet mes ushtrisë sudaneze dhe RSF-së shpërthyen në prill të vitit 2023 për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me integrimin e forcës paramilitare në ushtri. Konflikti ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve dhe zhvendosjen e miliona të tjerëve, duke çuar në një nga krizat më të rënda humanitare në botë.




