Për dekada me radhë, Transnistria ka mbijetuar falë gazit falas rus, por tani ka ndryshuar gjithçka
Rrugët e Benderit fillojnë të zbrazen me rënien e natës. Pas festimeve të Ditës së Pavarësisë, kur për disa ditë në fillim të shtatorit u rikthye ndriçimi publik, qyteti është zhytur sërish në errësirë.
“Energjia elektrike prodhohet nga gazi. Por, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, gazi rus nuk mbërrin më si më parë. Prandaj kemi mbetur pa drita”, shpjegon Nikolai, 32 vjeç, teksa ecën në rrugët e qytetit të dytë më të madh të Transnistrisë.
E njohur zyrtarisht si Republika Moldave e Pridnestrovisë, Transnistria është një republikë separatiste që prej viteve 1990 funksionon si shtet i pavarur de facto, megjithëse komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe Rusinë, e njeh ende si pjesë të Moldavisë.
Sot, ajo po përjeton një krizë të thellë ekonomike, të përkeqësuar nga ndërprerja e furnizimit me gazin rus, për të cilin për dekada nuk paguante. Më 10 nëntor, Transnistria u përfshi edhe në negociatat e zhvilluara në Abu Dhabi për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Moska propozoi shndërrimin e Moldavisë në një republikë federale, të përbërë nga Moldavia, Transnistria dhe Gagauzia. Sipas kësaj ideje, dy rajonet me orientim pro-rus do të mund të organizonin referendume për pavarësi nëse vendi do t’i bashkohej Bashkimit Evropian, objektiv që Kishinau synon ta realizojë deri në vitin 2030.
Propozimi, që ringjall një plan të vjetër rus të vitit 2003, u hodh poshtë nga kryetari i parlamentit moldav, Igor Grosu. Ndarja mes Tiraspolit dhe Kishinaut nisi pas tensioneve gjuhësore dhe politike që shoqëruan shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.
Në vitin 1992, ato shpërthyen në një konflikt të armatosur, ku trupat ruse ndërhynë në mbështetje të separatistëve. Në një referendum të diskutueshëm të vitit 2006, banorët votuan për pavarësinë dhe bashkimin e ardhshëm me Federatën Ruse.
Për Moldavinë, Transnistria mbetet një pengesë serioze në rrugën drejt BE-së. Për Kremlinin, ajo përfaqëson një pikë strategjike në krahun juglindor të Evropës.
Atje ndodhen ende rreth 1.500 ushtarë rusë, të vendosur pjesërisht për të ruajtur një nga depot më të mëdha të armatimeve sovjetike në Evropën Lindore. Për të ruajtur ndikimin mbi këtë territor, Putini ka rikthyer një instrument të përdorur edhe në Donbas përpara pushtimit të Ukrainës: pasaportat ruse.
Në maj, ai nënshkroi një dekret që lehtëson pajisjen me shtetësi ruse të banorëve të Transnistrisë, një popullsi prej rreth 350.000 banorësh. Paralelisht, Moska autorizoi përdorimin e forcave të armatosura jashtë vendit për “mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve rusë”.
Por ish-zëvendëskryeministri moldav Alexandru Flenchea, i konsideron propagandë shifrat e aplikimeve për pasaporta ruse . Sipas tij, shumica e atyre që dëshironin një pasaportë ruse e kanë marrë prej kohësh.
Ndërsa gazetari transnistrian Evgenij Cheban shpjegon se aplikantët e rinj janë kryesisht pensionistë, të interesuar për pensionet më të larta ruse. Për banorët, shtetësitë e shumëfishta janë më tepër një mjet praktik sesa shprehje identiteti.
Gjatë periudhës sovjetike, Transnistria ishte një nga rajonet më të zhvilluara industrialisht të Moldavisë. Sot renditet ndër territoret më të varfra të Evropës. Për dekada, ekonomia e saj mbështetej te gazi rus, i cili furnizohej falas, por u faturohej banorëve me çmime të ulëta, duke mbushur arkat e autoriteteve lokale.
Ky sistem u shemb në vitin 2025, pas ndërprerjes së tranzitit të gazit rus përmes Ukrainës. Furnizimet alternative, përmes rrugëve më të ndërlikuara, e kanë rritur ndjeshëm koston e energjisë.
Deficiti buxhetor, presioni fiskal, emigracioni dhe mbyllja e fabrikave për shkak të sanksioneve evropiane e kanë thelluar krizën. Vetëm gjatë vitit 2025, ekonomia e Transnistrisë u tkurr me 18 për qind.
Paradoksi është se, pavarësisht retorikës pro-ruse, rreth 80 për qind e eksporteve të saj përfundojnë sot në Bashkimin Evropian, falë marrëdhënieve ekonomike me Kishinaun dhe marrëveshjes së tregtisë së lirë që Moldavia nënshkroi me Brukselin në vitin 2014.
“Në kohën e Bashkimit Sovjetik kishim para, por mungonin mallrat. Sot mund të blesh gjithçka, por nuk ke para për ta bërë”, thotë Maria, 71 vjeçe, e cila ka kaluar një jetë duke punuar në një fermë kolektive sovjetike.
Prania ruse ndihet kudo në Transnistri. Flamujt e Moskës valëviten pranë monumenteve të Leninit, ndërsa ushtarët rusë janë pjesë e realitetit të përditshëm.
Kjo përbën një shqetësim të vazhdueshëm për presidenten pro-perëndimore të Moldavisë, Maia Sandu, e cila përballet me ndikimin rus edhe në rajonin autonom të Gagauzisë.
Megjithatë, Transnistria nuk është thjesht një marionetë e Kremlinit. Një pjesë e madhe e pushtetit ekonomik dhe politik kontrollohet nga grupi i biznesit Sheriff, që zotëron interesa në tregti, karburante, industri dhe media.
Sipas Flencheas, territori funksionon si një oligarki, ku vendimet merren nga pronarët e Sheriff-it, brenda kufijve të përcaktuar nga Moska. Edhe elitat lokale kanë interes ta ruajnë këtë ekuilibër. Rusia u siguron mbështetje, por një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e saj mund t’u rrezikojë pushtetin.
Ndërkohë, mbetet e paqartë se çfarë dëshiron realisht popullsia. Pa media të lira dhe sondazhe të pavarura, është e vështirë të përcaktohet nëse shumica e banorëve e shohin të ardhmen me Rusinë apo me Moldavinë.
“Njerëzit duan një të ardhme të sigurt dhe të begatë. Me kë do ta ndërtojnë, është çështje dytësore”, përfundon gazetari Cheban. Pikërisht kjo pasiguri e bën Transnistrinë një pikë të ndjeshme në përplasjen mes Moskës dhe Perëndimit.
Një konflikt i ngrirë prej më shumë se tri dekadash mund të shndërrohet sërish në një instrument presioni rus, ndërsa afrimi i Moldavisë me BE-në e vendos këtë territor në qendër të një loje gjeopolitike me pasoja për sigurinë e Evropës Lindore. /tesheshi





