Policia konfirmon vdekjen e një 30 vjeçari në Prishtinë pasi e zuri lisi

Një person ka mbetur i vdekur sot si pasojë e rrëzimit të lisit në rrugën “Vaso Pasha”, në Prishtinë.

Viktima është 30 vjeçar, ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Ai bëri të ditur se si pasojë e rrëzimit të lisit e lënduar ka mbetur edhe një 30 vjeçare e cila është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

“Rreth orës 15:15 është pranuar informata se një lis është rrezuar dhe ka zënë dy persona. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Si pasojë e këtij incidenti, njëri nga të lënduarit mashkull, rreth 30 vjeç ka humbur jetën përderisa e lënduara tjetër femër po ashtu rreth 30 vjeç është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, tha Borovci.

Ai shtoi se aktualisht policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

E lënduara është duke u trajtuar në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Në një prononcim për Telegrafin mjeku kujdestar, Ejup Govori tha se 30 vjeçarja ka lëndime serioze në ekstremitet e poshtme.

“Gjendja e saj është stabile, pra është jashtë rrezikut për jetë, por ka lëndime serioze në ekstremitet e poshtme. Ende nuk kemi raport të detajuar por dyshohet për frakturë”, tha ai.

Govori shtoi se e lënduara ka edhe dhimbje të shpinës dhe dyshohet se mund të ketë lëndime të unazës.

nga ana tjetër, nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj iu ka bërë thirrje qytetarëve të kenë kujdes gjatë lëvizjes në qytet.

“Ju lutemi, për shkak të shiut të rrëmbyeshëm dhe erërave të forta, të keni KUJDES, sidomos në pjesët e qytetit që kane drunj përreth! Ekipet tona të shpëtimit janë në terren dhe po merren me rastet e aksidenteve”.