Policia nis hetimet për vdekjen e dy personave në 24 orët e fundit

Policia e Kosovës ka iniciuar hetime për dy persona që kanë vdekur në 24 orët e fundit.

Në Emergjencën e Rahovecit është dërguar një grua pa shenja jete, ku vdekja e saj është konfirmuar nga mjeku kujdestar.

Familjarët e saj kanë njoftuar se viktima është rrëzuar nga një lartësi 1.5 metra.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Sipas familjarëve viktima është rrëzuar nga një lartësi 1.5 metra. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin policor.

E, në Vushtrri është gjetur i vdekur në rrugë një person të hënën në orën 13:30.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Ukshin Kovaqica”, ku ekipi mjekësor e ka konfirmuar vdekjen në vendin e ngjarjes. Trupi i pajetë është dërguar për obduksion.