Poloni – Qeveria përgatitet të pranojë refugjatë nga Ukraina

Mariusz Kaminski

Polonia po përgatitet të pranojë refugjatë nga Ukraina fqinje në rast të një inkursioni rus, njoftoi sot ministri i Brendshëm Mariusz Kaminski.

Varshava po shqyrton një sërë skenarësh. “Një prej tyre janë përgatitjet e krerëve të administratave rajonale lidhur me fluksin e mundshëm të refugjatëve nga Ukraina, të cilët për shkak të një konflikti të mundshëm mund të kërkojnë një strehë të sigurt në vendin tonë”, shkroi Kaminski në Twitter.

Qytetarët ukrainas aktualisht lejohen të hyjnë në Poloni dhe në zonën Shengen për qëllime turistike pa vizë deri në 90 ditë.

Polonia është gjithashtu shtëpia e shumë punëtorëve migrantë nga Ukraina. Sipas Zyrës polake për të Huajt, mbi 300,000 persona nga Ukraina kishin leje qëndrimi në dhjetor, kryesisht për një periudhë të kufizuar prej tre vjetësh.

Numri i ukrainasve që punojnë në Poloni pa leje mendohet të jetë shumë më i lartë. /atsh