Polonia ka bërë të ditur se nuk ka marrë konfirmim zyrtar lidhur me identitetin e qytetarëve polakë që u është dhënë azil nga Budapesti, duke shtuar se hapat e fundit të ndërmarra nga autoritetet hungareze “ndikojnë negativisht” në marrëdhëniet dypalëshe.
Në komentet me shkrim të dërguara për Anadolu, një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë përsëriti se vendi ka shprehur keqardhje për hapat e fundit të ndërmarra nga autoritetet e Hungarisë.
Ai theksoi se këto hapa “ndikojnë negativisht” në lidhje dypalëshe midis Budapestit dhe Varshavës dhe “minojnë” parimet e solidaritetit evropian.
Komentet e ministrisë polake vijnë pasi marrëdhëniet dypalëshe u tensionuan edhe më tej pasi Hungaria u dha azil dy qytetarëve polakë në fillim të muajit janar.
Ky veprim erdhi në sfondin e një mosmarrëveshje më të gjerë midis dy vendeve mbi vendimin e mëparshëm të Hungarisë për t’i dhënë azil Marcin Romanowskit, një ish-zv.ministër polak i Drejtësisë nga radhët e partisë Ligj dhe Drejtësi.
Zëdhënësi i ministrisë polake kujtoi se ashtu sikurse anëtarët e tjetër të BE-së edhe Polonia pranoi njoftim për dhënien e azilit në Hungari për dy shtetas polakë.
“Megjithatë, informacioni i dhënë Këshillit të BE-së nuk përmban të dhëna mbi individët që u është dhënë azil”, tha ai.
Ndërkohë, tha zëdhënësi, Polonia iu drejtua drejtpërdrejtë autoriteteve hungareze, duke “kërkuar sqarime” mbi të dhënat e individëve të prekur nga ky vendim.
“Që nga 30 janari i vitit 2026, ne nuk kemi marrë konfirmim zyrtar në lidhje me emrat e përfituesve të azilit”, shtoi ai.
Ai gjithashtu kujtoi se Ministria e Punëve të Jashtme më 9 janar i shprehu zyrtarisht të dërguarit hungarez në Varshavë kundërshtimin e saj lidhur me veprimet e përfaqësuesve hungarezë dhe deklaratat e tyre që janë “në kundërshtim” me parimin e bashkëpunimit të zbatueshëm brenda BE-së.
Pas dhënies së azilit dy shtetasve polakë, Hungaria i ka dhënë azil edhe Zbigniew Ziobros, ish-ministrit polak të Drejtësisë, i cili po përballet me akuza të shumta në Varshavë.






