Porta po mbyllet…!?

Miq, çdo gjë që ka fillimin ka edhe mbarimin. I vetmi që është i pa fillim dhe i pa mbarim është Allahu xh.sh. Përveç Tij, çdo gjë do të përfundojë. Kjo do të ndodh, me apo pa vullnetin tonë.

Ashtu si çdo gjë tjetër edhe ky Ramazan po shkon drejt fundit. Tani, që nga neser, do të hyjmë në dhjetë netët e fundit të agjërimit. Janë këto netët më me vlerë ngase në to gjendet një natë sa një mijë muaj. Fjala është për natën e Kadrit. Natë kjo që për nga begatitë dhe mirësitë është e pafundme. Në të zbret Xhibrili a.s së bashku me engjëjt tjerë, ajo është paqe, qetësi dhe më e mirë se një jetë e tërë njeriu.
Miq, imagjino sikur je duke u fundosur. Para vetës ke një portë të hapur tërësisht dhe derisa ti e ke parë të tillë nuk ke nxituar ngase je ndjerë komod.
Imagjino sikur kjo portë fillon të mbyllet pak nga pak dhe pas çdo lëvizjeje të saj, ty të shtohet shqetësimi…? Fillon të preokupohesh nëse do ta arrish të hapur dhe të shpëtosh apo jo…?
E nëse 1/3 e kësaj porte të është mbyllur! Si do të jetë gjendja jote…?
Me siguri që tani do fillosh të japësh maksimumin tënd që të arrish këtë portë të hapur dhe të arrish vagonin e fundit të trenit të fundit për të shpëtuar.
Vëlla, porta e Ramazanit ka filluar të mbyllet që nga fillimi i tij. Dy çerekët e saj janë mbyllur. Ka mbetur vetëm edhe një çerek pa u mbyllur andaj nxito…
Nxito dhe mos e humb këtë mundësi të artë të faljes, mëshirës, begatisë, mirësisë, dashurisë, dashurisë dhe mbi të gjitha e kënaqësisë së Allahut xh.sh.
Vëlla, kthehu tek Zoti yt me një kthim të sinqertë, kthehu tek Zoti yt me një kthim të bukur, kthehu tek Zoti yt me një kthim të denjë.
O Zot xh.sh, bëjë këto dhjetë ditë ditë të faljes dhe na bëjë ne të denjë për faljen Tënde.
O Zot xh.sh, bëjë këto dhjetë ditë ditë të mëshirës dhe na bëjë ne të denjë për mëshirën Tënde.
O Zot xh.sh, bëjë këto dhjetë ditë ditë të lirimit nga zjarri dhe na bëjë ne të denjë për shpëtim.
O Zot xh.sh, bëjë këto dhjetë ditë ditë të fitimit të Xhennetit dhe na bëjë ne të denjë për Xhennetin Tënd.

Nga: Artan Musliu