Pozita dhe opozita kanë vullnet për dialog

Drejtori ekzekutivi i Grupit për Ballkanin, Naim Rashiti, ka bërë me dije se pozita dhe opozita kanë vullnet për dialog rreth çështjeve të rëndësishme për vendin.

Rashiti, i cili që një vit është duke e ndërmjetësuar dialogun politik mes palëve, ka thënë se pozita dhe opozita i kanë qetësuar raportet mes tyre. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka treguar se në këto takime palët i diskutojnë qëndrimet e njëra-tjetrës.

Sipas Rashitit, sforcimi i qëndrimeve të subjekteve politike rreth demarkacionit ka ndikuar që të mos ketë kompromis rreth kësaj çështje. “Ajo që mund të them unë, është se takimet e subjekteve politike, të cilat në fillim kanë qenë shumë të vështira, duke na marrë kohë për t’i bindur palët që të ulen në tryezë, kanë ndikuar në relaksimin e marrëdhënieve mes palëve. Në këto takime janë diskutuar lirshëm të gjitha temat e vështira dhe të lehta, pozicionet dhe qëndrimet e palëve. Pra, ka pasur më shumë mirëkuptim për qëndrimet e njëra-tjetrës”, ka thënë Rashiti.

Ai ka vlerësuar se subjektet politike duhet të ndërtojnë një kulturë bashkërendimi për çështje të rëndësishme për vendin. “Besoj fuqishëm se subjektet politike duhet të ndërtojnë një mekanizëm, një kulturë bashkërendimi, një frymë bashkërendimi, qeveri-opozitë për çështjet e rëndësishme për vendin, duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë. Mësimet që do të nxirren edhe nga praktikat e vendeve të tjera, edhe pavarësisht se kush në të ardhmen është në Qeveri apo opozitë, do të ketë një frymë bashkëpunimi, e cila do të jetë gjysmë e formalizuar apo e formalizuar”, është shprehur ai.

Rashiti ka pranuar se kjo iniciativë ka qenë pak e vonuar. “Nuk besoj se mungon vullneti në kërkim të një marrëveshje jo vetëm për çështjen e demarkacionit, por edhe për çështje të ndryshme. Pra, subjektet politike janë të interesuara të ketë një marrëveshje, por ende nuk ka ardhur çasti kur mund të thuhet se tani jemi drejt një marrëveshje. E rëndësishme është që palët vullnetshëm janë në këtë dialog dhe kanë vullnet për ta vazhduar këtë format të dialogut jo vetëm për çështjen e demarkacionit, por edhe për çështje të tjera më afatgjata”, është shprehur Rashiti.

Ai ka thënë se fatkeqësisht ky format i dialogut ka filluar pak vonë dhe gjërat kanë shkuar pak larg. “Këtu e kam fjalën për çështjen e demarkacionit. Jam i bindur se ky proces po të fillonte gjashtë muaj më herët do ta gjenim më lehtë zgjidhjen, apo marrëveshjen politike. Tani është bërë pak vështirë, sepse ka pasur konsolidime të qëndrimeve, zhvillime të mëdha rreth çështjes së demarkacionit dhe palët e kanë më të vështirë t’i ndryshojnë qëndrimet apo t’i rishikojnë qëndrimet e tyre në çështjen e demarkacionit”, ka thënë Rashiti.