Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Presidenti Erdogan i shpreh ngushëllime Spanjës për aksidentin tragjik hekurudhor

Presidenti Erdogan i shpreh ngushëllime Spanjës për aksidentin tragjik hekurudhor

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka shprehur ngushëllime Spanjës për aksidentin hekurudhor ku humbën jetën të paktën 64 persona dhe rreth 80 të tjerë u lënduan, transmeton Anadolu.

“Duke folur në emër të vendit dhe kombit tim, ndaj me gjithë zemër dhimbjen e atyre që humbën të dashurit e tyre dhe i përcjell popullit dhe qeverisë së Spanjës mesazhet e Turqisë për unitet dhe solidaritet”, tha Erdogan në platformën turke NSosyal.

Ai gjithashtu u uroi shërim të shpejtë të lënduarve në aksident.

Të paktën 64 persona humbën jetën dhe rreth 80 të tjerë u lënduan, kur dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën në Spanjën qendrore, tha ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente.

Emiliano Garcia-Page, president i rajonit Castile-La Mancha, paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet më tej.

Puente tha se një defekt në sistemin e teknologjisë së informacionit, rreth orës 8:30 me kohën lokale, preku një segment hekurudhor prej rreth 60 kilometrash, duke ndërprerë funksionimin e sistemit automatik të sigurisë dhe duke lënë gjashtë trena të ndaluar në zonën e prekur.

Më pas, trafiku hekurudhor u menaxhua nga qendra e kontrollit e operatorit të infrastrukturës Adif, e cila autorizoi një tren që ndodhej pas një treni Iryo të ndaluar të rifillonte udhëtimin “si zakonisht”, rreth orës 8:36 me kohën lokale, tha ai.