Presidenti Erdoğan niset për vizitë në Kuvajt dhe Katar

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan është nisur nga Ankaraja për vizitë pune një ditore që përfshin Kuvajtin dhe Katarin, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan dhe delegacioni që e shoqëron u përcoll në aeroportin Esenboğa të Ankarasë nga zv.presidenti Fuat Oktay dhe zyrtarë të tjerë.

Në këtë vizitë që përfshin dy vendet, Erdoğan shoqërohet nga ministri i Thesarit dhe Financave Berat Albayrak, ministri i Rinisë dhe Sporteve Mehmet Kasapoğlu, ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar, kreu i shërbimeve inteligjente (MIT) Hakan Fidan, kreu i komunikimeve të presidencës Fahrettin Altun dhe zëdhënësi i presidencës İbrahim Kalın.

Në kuadër të vizitës së tij në Kuvajt, Erdoğan do të shprehë ngushëllimet e tij duke u takuar me emirin e Kuvajtit Sheikh Nawaf al-Ahmad Al-Jaber al-Sabah, i cili mori detyrën e emirit pasi ish-emiri Sheik Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, ndërroi jetë të javën e kaluar.

Në takim gjithashtu do të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe si dhe do të shkëmbehen pikëpamjet për çështjet rajonale.

Më pas Erdoğan është planifikuar të udhëtojë në Katar për të takuar emirin e Katarit, Sheik Tamim bin Hamad Al Thani.

Parashikohet që Erdoğan dhe Al Thani të vlerësojnë mundësinë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit aktual mes dy vendeve si dhe gjithashtu të shkëmbejnë pikëpamjet në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.